Nga Alketa Kamenica
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, po shfaqet intensivisht në media ditët e fundit, duke bërë sulme të ashpra ndaj SPAK dhe metodave të hetimit të tij. Burime pranë qarqeve politike flasin për një “marrëveshje të heshtur” mes Manjanit dhe kryeministrit Edi Rama, në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Nga një kritik i ashpër i qeverisë, Manjani është kthyer në një mbrojtës të zhurmshëm të tezave që i shkojnë për shtat pushtetit, duke e paraqitur SPAK-un si një institucion që po ndjek taktikat e diktaturës dhe jo si një organ të pavarur që heton korrupsionin dhe abuzimet e pushtetit.
Në çdo dalje televizive, Manjani ka ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e përgjimeve dhe survejimeve, duke i cilësuar si teknika të frikësimit të përdorura gjatë regjimit komunist. Ai argumenton se qytetarët dhe politikanët janë vendosur nën një regjim përgjimi pa asnjë bazë ligjore, ndërsa pretendon se hetimet ndaj eksponentëve të lartë të politikës nuk kanë prova të forta. Këto deklarata kanë bërë jehonë në qarqet mediatike, duke u përforcuar nga kanale pranë qeverisë, të cilat i japin një peshë më të madhe sesa kritikave reale që janë ngritur ndaj procesit hetimor.
Megjithatë, burime nga brenda drejtësisë hedhin poshtë akuzat e Manjanit, duke konfirmuar se procedurat e ndjekura nga SPAK janë brenda kuadrit ligjor dhe të miratuara nga gjykatat. Për më tepër, ekspertë të pavarur vënë në dukje se sulmet e tij janë të ngjashme me narrativën që disa politikanë të ekspozuar për korrupsion kanë përdorur për të diskredituar drejtësinë. Nëse Manjani ka ndonjë arsye të vërtetë për këtë ndryshim të papritur të qasjes, mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: afërsia e tij e re me kampin qeveritar ka ngjallur pikëpyetje mbi motivet e tij dhe mbi të ardhmen e diskursit të tij politik.