Vlora po përballet me një situatë të rënduar në prag të sezonit turistik për shkak të punimeve të shumta që po zhvillohen në zonën e Lungomares dhe në by pass-in e qytetit. Puna në këto projekte ka sjellë bllokime rrugësh, kaos në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve, zhurmë të vazhdueshme si dhe ndotje masive nga pluhurat, duke i kthyer përditshmërinë qytetarëve në një sfidë të vërtetë.
Në Vlorë së fundmi është mbajtur një takim elektoral nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Ajo që ra më tepër në sy ishte mungesa e theksuar e pjesëmarrësve. Fotot dhe videot nga ky takim tregojnë një numër shumë të ulët qytetarësh, duke reflektuar qartë revoltën dhe zhgënjimin e vlonjatëve ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama.
Gazetari Artan Hoxha ka reaguar në rrjetet sociale duke ironizuar këtë situatë. Në një postim në Facebook, ai ka shpërndarë pamje nga takimi dhe ka shkruar:
“Si thotë komandanti i Tërmetit: Vlora flakë, për Shqipërinë Evropiane 2030… Ndërkohë, Vlorës i ka rënë flaka… Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe Bled Çuçi, në takimin elektoral në Lungomare, nuk kanë mbledhur dot njerëz, as aq sa klandestinë i mbante skafi i Bokes, kur nisej për Brindizi.”
Reagimi i Hoxhës thellon edhe më tej përmasat e pakënaqësisë publike, ndërsa pasqyron një realitet ku qytetarët duket se i kanë kthyer kurrizin qeverisë dhe premtimeve të të tyre.








