Ekipet e shpëtimit në Indonezi po luftojnë me kohën dhe terrenin e vështirë për të arritur te Juliana Marins, një 26-vjeçare nga Brazili, e cila ra nga një lartësi prej 1,000 këmbësh (rreth 300 metra) në vullkanin aktiv Mount Rinjani. Ngjarja ndodhi më 21 qershor, gjatë një udhëtimi në malin e dytë më të lartë në Indonezi.
Juliana, e cila punon si publiciste dhe kërcimtare akrobatike (pole dancer), po udhëtonte vetëm në Azi që nga muaji shkurt dhe kishte vizituar Tajlandën, Vietnamin dhe Filipinet. Ajo ra nga një shtigje i ngushtë mbi liqenin krater të famshëm të Rinjani-t. Pamje të dronit e tregojnë atë e shtrirë në një shpat të pjerrët, duke pritur ndihmë dhe pa mundësi të ngjitej përsëri.
Turistët që kalonin aty pranë dëgjuan britmat e saj dhe njoftuan autoritetet. Ekipet e shpëtimit, të cilat po përballen me mjegull të dendur dhe mungesë litarësh të mjaftueshëm, ende nuk kanë arritur te ajo. Disa video që qarkulluan në rrjetet sociale duke pretenduar se ajo ishte shpëtuar, u denoncuan si të rreme nga motra e saj, Mariana.
Sipas autoriteteve indoneziane, kërkimet vijojnë intensivisht, ndërsa ambasada braziliane në Xhakartë ka angazhuar përfaqësues për të monitoruar operacionin. Mount Rinjani, me një lartësi prej 3,700 metrash, është një nga destinacionet më të njohura për adhuruesit e aventurës në rajon.















