Pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin në shkurt të vitit 2022 ndryshoi rrjedhën e historisë. Më së shumti për vetë ukrainasit që u përballën me një akt brutal agresioni. Por lufta ndryshoi edhe vetë Rusinë në mënyrë shumë më të thellë nga sa e kuptojnë shumica e të huajve. Asnjë armëpushim – madje as edhe një i ndërmjetësuar nga një president amerikan i afërt me Putinin – nuk mund të kthejë pas faktin që përplasja me Perëndimin është bërë boshti rreth të cilit rrotullohet jeta politike dhe shoqërore ruse. Po ashtu, asnjë ndalim i luftimeve në Ukrainë nuk mund të zhbëjë shkallën me të cilën Putini ka forcuar lidhjet strategjike të Rusisë me Kinën.
Si rezultat i luftës, Rusia e Putinit është bërë shumë më represive, ndërsa ndjenjat anti-perëndimore janë përhapur thellësisht në të gjithë shoqërinë. Që nga viti 2022, Kremlini ka zhvilluar një fushatë të gjerë për të shtypur disidencën politike, për të përhapur propagandë pro-luftës dhe anti-Perëndimore dhe për të krijuar shtresa të mëdha qytetarësh që përfitojnë materialisht nga lufta. Dhjetëra miliona rusë – përfshirë zyrtarë të lartë dhe shumë nga më të pasurit – tashmë e shohin Perëndimin si një armik ekzistencial.
Konflikti i Interesave
Gjatë mandateve të tij të para në Kremlin (2000–2008), ekonomia ruse gëzoi rritje të madhe falë çmimeve të larta të burimeve natyrore, investimeve perëndimore dhe reformave të tregut. Në krahasim me epokat diktatoriale cariste dhe komuniste apo me kaosin e viteve ’90 pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia nuk kishte qenë kurrë më njëkohësisht kaq e pasur dhe e lirë. Edhe pse rritja ekonomike u ngadalësua në vitet 2010, pakti social mbeti relativisht i qëndrueshëm.
Por me luftën në Ukrainë, edhe ky model ka ndryshuar ndjeshëm. Sipas ekonomistes Alexandra Prokopenko, Kremlini është përballur me një “trilemë të pamundur”: si të financojë një luftë gjithnjë e më të kushtueshme, të ruajë standardet e jetesës për qytetarët dhe të sigurojë stabilitet makroekonomik – tre objektiva që nuk mund të përmbushen njëkohësisht.
Putin zgjodhi të përqendrohet te lufta. Nga viti 2025 deri në 2027, rreth 40% e buxhetit shtetëror të Rusisë do të shkojë për mbrojtjen dhe sigurinë, duke lënë pas dore fusha si arsimi dhe shëndetësia. Lufta, në mënyrë paradoksale, ka sjellë përfitime për shumë rusë: pas një rënieje të lehtë në vitin 2022, PBB-ja e Rusisë u rrit me 3.6% në 2023 dhe me 4.1% në 2024, falë shpenzimeve ushtarake. Vetëm në fund të vitit 2024 nisën të ndihen efektet negative, si inflacioni dyshifror.
Megjithëse armët mund të heshtin, ekonomia ruse do të mbetet e militarizuar. Industria e mbrojtjes do të vazhdojë të mbulojë humbjet e mëdha të pajisjeve dhe Putin ka nisur një plan modernizimi të shtrenjtë ushtarak.
Lufta si mjet shpërblimi dhe karriere
Ndërsa kritika ndaj luftës është bërë shumë e kushtueshme dhe e rrezikshme, Putini e ka kthyer atë gjithashtu në një mjet për shpërndarje pasurie. Përfituesit kryesorë janë rrethi i ngushtë i tij dhe rrjetet klienteliste. Disa kanë përfituar nga largimi i kompanive të huaja, duke blerë pasuritë e tyre të ulëta në çmim ose duke i konfiskuar drejtpërdrejt, shpesh me mbështetjen e figurave të fuqishme si lideri çeçen Ramzan Kadyrov.
Përtej oligarkëve, dhjetëra mijëra sipërmarrës kanë përfituar nga ekonomia e luftës, përfshirë ata që fitojnë nga shmangia e sanksioneve. Më poshtë në “zinxhirin e përfituesve” janë qindra mijëra profesionistë të klasës së mesme – sidomos në fushat e IT-së, financës dhe shërbimeve të biznesit – të cilët përfitojnë nga paga më të larta, ndërsa kolegët e tyre disidentë emigrojnë dhe kërkesa për aftësi teknike rritet.
Putini ka blerë mbështetje edhe në mënyrë më direkte, duke paguar mirë burrat e mobilizuar në front, punëtorët në fabrikat ushtarake dhe familjet e tyre. Në qershor 2024, sipas Kremlinit, rreth 700 mijë rusë ishin në vijën e parë të frontit. Paga mesatare e një ushtari rus ka arritur rreth 2,000 dollarë në muaj – dyfish i mesatares kombëtare dhe katërfish në krahasim me rajonet më të varfra që kanë dhënë më shumë rekrutë. Që nga nisja e pushtimit, mbi 800,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur. Qeveria ka shpërndarë deri në 80,000 dollarë për çdo viktimë ose humbje, duke krijuar një klasë të tërë që ka përfituar jetësisht nga lufta dhe e ka të lidhur mirëqenien me vazhdimin e saj.
Në vitin 2024, Kremlini nisi një program për të trajnuar veteranët e luftës dhe për t’i vendosur ata në pozicione në sektorin publik dhe në administratën shtetërore.
Politizimi i burokracisë dhe transformimi i shoqërisë
Lufta është kthyer në një trampolinë karriere për punonjësit civilë dhe për pjesëtarët e strukturave të sigurisë. Në administratën shtetërore, punësimi në territoret e pushtuara është bërë një mënyrë për t’u ngjitur më shpejt në hierarki. Për qindra mijëra rusë që punojnë në kundërzbulim dhe forcat e rendit, kapja e “agjentëve perëndimorë” ose aktivistëve anti-luftë e gazetarëve është tashmë një mënyrë për të ndërtuar karrierë. Kjo ka bërë që edhe institucione dikur teknokratike, si banka qendrore, të politizohen – ku zyrtarë të trajnuar në Perëndim tani sillen si “luftëtarë” kundër sanksioneve.
Shumë kohë para pushtimit të plotë të Ukrainës, për shkak të shtypjes së gjatë të Putinit, shoqëria ruse vuante nga apatia dhe ndjenja e pafuqisë. Por vitet e fundit, Kremlini ka ndërmarrë një inxhinieri të gjerë shoqërore për të ngulitur mosbesimin ndaj Perëndimit në ndërgjegjen kolektive ruse. Në shtator 2022, në të gjitha shkollat ruse u futën orë të detyrueshme propagande javore të maskuara si mësime patriotizmi.
Shteti ka rritur ndërhyrjet në argëtim dhe kulturë: muzikantët, artistët dhe shkrimtarët e pavarur janë detyruar të largohen nga vendi; autorët kritikë janë shpallur “ekstremistë” dhe janë organizuar procese publike kundër intelektualëve liberalë që janë shprehur kundër luftës. Duke ndjekur shembullin e Partisë Komuniste të Kinës, Kremlini ka ndërtuar një “perde dixhitale hekuri” duke ndaluar rrjete si Instagram dhe Facebook dhe duke bllokuar YouTube-in, që më parë përdorej çdo ditë nga gjysma e rusëve mbi 12 vjeç.
Vallja e luftës – Si u riformësua politika e jashtme ruse
Lufta në Ukrainë nuk ishte thjesht një devijim i përkohshëm për politikën e jashtme të Rusisë – ajo e ka ndryshuar atë përfundimisht. Qëllimet kryesore të Moskës tani janë: ndërtimi i aleancave që ndihmojnë përpjekjet e luftës, mbajtja në këmbë e një ekonomie të sanksionuar dhe hakmarrja ndaj Perëndimit për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Zyrtarët rusë kanë investuar në mënyrë aktive në partneritete me regjime apo aktorë që janë të gatshëm t’i shkaktojnë kosto Perëndimit, veçanërisht me Korenë e Veriut, Iranin dhe përfaqësuesit iranianë si rebelët Houthi në Jemen. Nëse lufta përfundon dhe SHBA lehtëson sanksionet, Kremlini mund të pezullojë përkohësisht disa nga veprimet më agresive anti-amerikane – si furnizimi me armë për Houthis – por do ta ruajë gjithmonë mundësinë për t’i rifilluar ato, veçanërisht pas një largimi të mundshëm të ekipit të Trump-it nga Shtëpia e Bardhë.
Rusia ka thelluar lidhjet me vendet në zhvillim duke ulur ndjeshëm çmimet e eksporteve të saj dhe duke shtuar dërgesat drejt Indisë, Azisë Juglindore, Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Amerikës Latine.
Partneriteti i thelluar me Kinën
Më e rëndësishmja nga të gjitha, Rusia i është kthyer me vendosmëri Kinës. Para luftës, marrëdhënia mes Moskës dhe Pekinit ishte një varësi asimetrike – Kina kishte më shumë ndikim, por Rusia mbante lidhje të rëndësishme tregtare dhe teknologjike me Evropën për të balancuar. Që nga viti 2022, Putini ka pranuar një varësi më të thellë ndaj Kinës në këmbim të mbështetjes për luftën.
Rusia e ka përballuar luftën për tre vjet falë pjesëve të armëve të ofruara nga Kina. Kina tani blen 30% të eksporteve ruse (nga 14% në vitin 2021) dhe furnizon 40% të importeve të saj (nga 24% para luftës). Pekini i ofron Moskës një infrastrukturë financiare të bazuar në juan për tregti ndërkombëtare.
Për Kremlinin, forca e Kinës është një investim strategjik në rrëzimin e epërsisë globale amerikane. Rusia tani i ofron Kinës dizajne armësh që më parë ngurronte t’i ndante. Universitetet dhe laboratorët rusë po përfshihen në projekte të përbashkëta me Kinën në shkencat natyrore, matematikën e aplikuar, IT dhe hapësirë. Gjithashtu, Rusia po i furnizon Kinës me lëndë të para të lira – naftë, gaz, uranium – për të garantuar aksesin e Pekinit në rast bllokade detare.
Mbyllja e dyerve – Çfarë duhet të bëjë Perëndimi
Gjatë fushatës së tij për rizgjedhje në vitin 2024, Donald Trump premtoi se do të “ç’bashkonte” Kinën dhe Rusinë. Në një farë mënyre, duket se si president, po përpiqet ta bëjë këtë me afrime të ngrohta ndaj Putinit. Por pavarësisht përpjekjeve të tij, Rusia nën Putinin nuk do të jetë kurrë një vend që nuk përbën kërcënim për Europën dhe SHBA-në. Europa do të duhet të vijojë të ndërtojë politika frenuese ndaj regjimit rus — dhe ta bëjë këtë me më pak mbështetje amerikane se më parë.
Liderët europianë duhet ende ta paraqesin këtë si një përpjekje transatlantike, më së miri përmes NATO-s, ose nëse administrata Trump nuk do të angazhohet, përmes një grupi partnerësh të afërt amerikanë që përfshin diplomatë të përvojës, liderë ushtarakë dhe drejtues të industrisë së mbrojtjes.
Përparësia e parë: rritja e prodhimit të mbrojtjes. Kjo shpesh shihet si një sfidë teknike, por është më shumë sesa kaq. Nëse politikanët fokusohen te siguria, pa adresuar rritjen e dobët ekonomike të kontinentit, do të forcojnë populistët që kundërshtojnë rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe kërkojnë një marrëveshje me Putinin.
SHBA dhe Europa duhet gjithashtu të përballen me “luftën në hije” të Rusisë: sabotime, vrasje të shënjestruara, dezinformim online dhe ndërhyrje në zgjedhje. Këto taktika ka shumë gjasa të vazhdojnë edhe pas një armëpushimi. Nuk ekziston ende një kornizë për menaxhimin e përshkallëzimeve hibride; ajo duhet ndërtuar. Do të nevojiten investime afatgjata në kundërzbulim, kundër-terrorizëm dhe luftë kundër krimit të organizuar — sidomos pasi ekstremizmi islamik dhe ai i ekstremit të djathtë kanë krijuar një mjedis të favorshëm për manipulim nga Kremlini.
Përtej frikës – Si të mendohet Rusia e pas-Putinit
Në të njëjtën kohë që forcojnë frenimin, udhëheqësit perëndimorë, veçanërisht ata europianë, duhet të fillojnë të përfytyrojnë një qasje të ndryshme ndaj Rusisë. Shteti që do të trashëgojnë pasardhësit e Putinit do të jetë thellësisht i paekuilibruar: me mbiinvestime ushtarake, qasje të kufizuar në teknologji moderne, varësi të thelluar nga Kina dhe një demografi në rënie që u përkeqësua nga lufta.
Edhe nëse pasuesit vijnë nga rrethi i ngushtë i Putinit, do të kenë më shumë hapësirë për të korrigjuar kursin – por vetëm nëse Perëndimi ofron një “derë të hapur”. Disa prej elitave pragmatike ruse tashmë e kuptojnë se lufta në Ukrainë ishte një gabim strategjik. Nëse këtyre u bëhet e qartë se Perëndimi është i gatshëm për një marrëdhënie ndryshe, atëherë mund të kenë më shumë ndikim në periudhën pas Putinit.
Riformulimi i mesazhit perëndimor
Ndryshimi i mesazhit të Perëndimit për Rusinë – dhe bërja e tij koherent – është sfidë e madhe, veçanërisht pas përçarjes transatlantike që solli Trump. Qeveritë europiane kanë pozicione të ndryshme ndaj Rusisë, por politikanët që nuk ndjekin linjën pro-Putin mund të fillojnë duke përfytyruar një marrëdhënie të re të qëndrueshme të sigurisë.
Nëse trajektorja vazhdon kështu, NATO dhe Rusia do të jenë të armatosura deri në dhëmbë me armë konvencionale (tanke, dronë) dhe strategjike (raketa hipersonike bërthamore). Zgjidhja e vetme, ashtu si në Luftën e Ftohtë: kontroll armësh me mekanizma të fortë verifikimi dhe komunikimi. Nëse krijohet besim, mund të arrihen marrëveshje që reduktojnë arsenalet dhe ndalojnë ndërhyrjet në politikat e brendshme të njëri-tjetrit — nëse Moska ndalon përpjekjet për të minuar demokracitë.
Ekonomia si urë, jo si kërcënim
Dikur, ndërvarësia ekonomike midis Rusisë dhe Perëndimit ishte burim prosperiteti për të dy palët. Me largimin e Putinit, Europa me shumë gjasë do të ketë shkëputur përfundimisht varësinë nga burimet natyrore ruse. Nëse kjo arrihet, atëherë rinisja e importeve të caktuara ruse nuk do të rrezikojë pavarësinë energjetike të Europës, por përkundrazi do të ndihmojë në diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit. Rindërtimi i lidhjeve tregtare do të ishte gjithashtu një mundësi për Rusinë për të zvogëluar varësinë nga tregu kinez.
Por, asnjë pajtim i vërtetë nuk mund të ndodhë pa adresuar luftën kriminale të Putinit në Ukrainë. Edhe nëse Moska dhe NATO nisin negociata për kontrollin e raketave, nuk mund të arrihet një ekuilibër i ri për aq kohë sa Ukraina ndjehet e kërcënuar.
Çdo projekt i ardhshëm për të rivendosur lidhjet ekonomike me Rusinë duhet të përfshijë fonde për rindërtimin e Ukrainës – ndoshta edhe në formën e reparacioneve të heshtura. Për shembull, mund të vendoset një taksë speciale mbi mallrat ruse që shiten në Europë, për një periudhë të caktuar, ose të krijohet një fond ndërkombëtar ku Rusia do të kontribuonte një përqindje të PBB-së së saj për një numër vitesh. Sa më shpejt të rritet ekonomia ruse, aq më shumë përfiton Ukraina – duke krijuar kështu një motiv të dyanshëm për paqe dhe rimëkëmbje.
Roli i Ukrainës në vizionin pas-Putinit
Shumë vende europiane do të duan që Ukraina të jetë e përfshirë në hartimin e çdo strategjie ndaj Rusisë pas Putinit. Për shumë në Kiev, një Rusi e dobësuar ose e rrënuar duket si rezultati më i mirë. Por shkatërrimi i plotë i Rusisë nuk do t’i shërbente interesave europiane, për shkak të rrezikut të shpërbërjes së një superfuqie me armë të shumta të shkatërrimit në masë.
Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është anatema për Putinin – dhe mund të jetë po aq e papranueshme edhe për pasardhësit e tij. Megjithatë, liderët më pragmatikë rusë mund të kuptojnë se një Ukrainë e anëtarësuar në NATO është më pak e rrezikshme se një Ukrainë e zemëruar dhe e lirë për të vepruar pa asnjë kufizim aleate.
Ndryshimi i tonit – Rindërtimi i urave me shoqërinë dhe elitën ruse
Për të prezantuar këtë vizion të ri për Rusinë, vendet perëndimore duhet të ringjallin urgjentisht kanalet e komunikimit që u ndërprenë gjatë luftës. Duhet të bëhet e qartë – për qytetarët rusë dhe për elitat – se izolimi i Rusisë nuk është qëllimi i Perëndimit, por një pasojë e vetë politikës së Kremlinit.
Artistët, shkencëtarët, intelektualët dhe sportistët rusë që nuk kanë përhapur propagandë lufte nuk duhet të penalizohen vetëm për shkak të kombësisë së tyre. Politikat e vizave europiane gjithashtu duhet të rishikohen: aktualisht është pothuajse e pamundur për rusët që nuk janë me lidhje shtetërore të udhëtojnë në Europë, duke i izoluar edhe më tej nga realiteti perëndimor.
Në mesazhet publike, liderët perëndimorë duhet të theksojnë se nuk janë kundër popullit rus, por kundër zgjedhjeve katastrofike të politikës së Putinit, të cilat i kanë bërë vetë rusët më pak të pasur dhe më pak të sigurt. Po ashtu, zyrtarët perëndimorë duhet të rivendosin kontakte të qëndrueshme me burokratët rusë dhe elitën e politikës së jashtme, që pritet të mbeten pjesë e strukturës shtetërore pas Putinit.
Këto kontakte mund të nisin në forume ndërkombëtare, ku të dyja palët kanë interesa të përbashkëta – si shmangia e përplasjeve të paqëllimshme në det ose ajër. Natyrisht, shumë nga këta bashkëbisedues do të përpiqen të mbledhin informacion për llogari të shërbimeve ruse të inteligjencës – por kjo nuk është një rrezik i ri për Perëndimin.
Pas Putinit – Një dritare mundësie
Përfytyrimi i një bote pa Putinin mund të duket i largët, sidomos pasi përpjekje të hapura për rrëzimin e tij kanë dështuar – si grushti i vitit 2023 nga Yevgeny Prigozhin. Dhe të mendosh për një ribashkim me Rusinë mund të duket si çarje e unitetit perëndimor. Por, me një president pro-Putin në Shtëpinë e Bardhë, uniteti europian është më i çmuar se kurrë. Megjithatë, vendet europiane, veçanërisht ato në krahun lindor të NATO-s, nuk mund të shmangin përjetësisht debatin për një marrëdhënie ndryshe me Rusinë – madje edhe pas Putinit.
Qytetarët perëndimorë nuk duan një përballje të pafundme dhe të kushtueshme me Rusinë. Ndaj, përfytyrimi i një marrëdhënieje më pragmatike nuk është luks intelektual – por një instrument politik që mund të ndihmojë në ndryshimin e kursit rus. Edhe nëse Putini nuk do t’u përgjigjej kurrë këtyre përpjekjeve, ekzistenca e tyre mund të nxisë përçarje brenda regjimit të tij dhe të krijojë hapësirë për ndryshim pas largimit të tij.
Putini nuk ka përgatitur një pasardhës sepse ka frikë nga humbja e kontrollit. Nëse detyrohet ta bëjë, ai pasardhës do të jetë shumë më i dobët. Kjo do të krijojë hapësirë për forca rivale politike dhe ndoshta për një periudhë “drejtimi kolektiv” – ashtu si ndodhi pas vdekjes së Stalinit – që mund të sjellë një kthesë drejt liberalizimit dhe pragmatizmit.
Përfundim: Lufta e përhershme nuk është e pashmangshme
Ndryshimi i udhëheqjes në SHBA e zuri Europën të papërgatitur. Po ashtu do ta zërë edhe një ndryshim i papritur në Kremlin, nëse Perëndimi nuk fillon të imagjinojë më aktivisht çfarë marrëdhënieje dëshiron të ketë me Rusinë pas Putinit.
Një luftë e përhershme, që kalon nga e ftohta në të nxehtë, nuk është e pashmangshme. Por nëse liderët perëndimorë vazhdojnë ta shtyjnë këtë diskutim, rrezikojnë të përforcojnë përpjekjet e Putinit për ta bërë përballjen me Perëndimin trashëgiminë e tij më të qëndrueshme.







