FLASH :

Papa Françesku udhëhoqi katolikët në kohën më të errët të Kishës

Nga Christophere White/ Foreign Policy

Në mars të vitit 2013, Kisha Katolike ndodhej në krizë. Në mbarë botën, vendet po përballeshin me turpin e abuzimeve seksuale nga priftërinj katolikë, ndërsa në Romë, zyrtarët europianë për parandalimin e pastrimit të parave po i kërkonin Vatikanit më shumë transparencë në çështjet financiare. Besueshmëria morale e Kishës ishte në gjendje të rëndë dhe pasuritë e saj financiare ishin zvogëluar. Vetë krishterimi po përjetonte një rënie të shpejtë, ndërsa sekularizmi ishte në rritje.

Në të njëjtën kohë, ndodhi një boshllëk i papritur në krye të Kishës: vetëm një muaj më parë, më 11 shkurt, Papa Benedikti XVI tronditi botën duke u bërë papa i parë në historinë moderne që jep dorëheqjen në mënyrë vullnetare – hera e fundit që kishte ndodhur kjo ishte në vitin 1294.

Ndërsa 115 kardinalë u mblodhën për të zgjedhur papën e ri, kryepeshkopi argjentinas Jorge Mario Bergoglio mbajti një fjalim katërminutësh që dukej se ndryshoi rrjedhën e votimit. Papa i ardhshëm, tha ai, duhet të jetë një figurë që ndihmon Kishën Katolike të “dalë nga vetvetja dhe të shkojë drejt perifërive – jo vetëm gjeografike, por edhe ekzistenciale.”

Bergoglio do të ishte ai njeri—papa i parë ndonjëherë që vinte nga jugu global. Vëzhguesit e vjetër të Vatikanit mbetën të habitur kur mësuan se njeriu i zgjedhur për të udhëhequr një institucion të njohur për pasurinë dhe pushtetin e tij kishte marrë emrin Françesku, sipas shenjtit nga Asizi të njohur për përulësinë dhe kujdesin ndaj të varfërve.

Në paraqitjen e tij të parë publike, Papa Françesku u shfaq në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit i veshur me një mantil të thjeshtë të bardhë, në vend të mantelit tradicional prej kadifeje të kuqe—një sinjal i qartë se kishte nisur një epokë e re. Ai dukej sikur kënaqej me befasinë që shkaktoi, duke thënë me ironi se kardinalët kishin shkuar “në skajet e tokës” për ta gjetur.

Jorge Mario Bergoglio lindi më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires, si më i madhi nga pesë fëmijët e një babai emigrant italian të gjeneratës së parë dhe një nëne argjentinase me prejardhje italiane. Ai i atribuonte gjyshes së tij (nonna Rosa) meritën për t’i mësuar lutjen. Ishte pikërisht përkushtimi i saj ndaj ungjillit shoqëror të Kishës – me theks të veçantë mbi të drejtat e punëtorëve dhe drejtësinë ekonomike – që formësoi kuptimin e tij për marrëdhënien e Kishës me botën përreth.

Bergoglio punoi në profesione të ndryshme – pastrues, roje nate në klub, dhe teknik në një laborator kimik – por ishte përqendrimi i urdhrit jezuit tek misioni që e tërhoqi përfundimisht. Sipas kujtimeve të tij, në moshën 12-vjeçare ai ndjeu dëshirën për t’u bërë prift katolik, dhe më në fund iu bashkua Shoqërisë së Jezusit (jezuitëve) në vitin 1958.

Ai u ngjit shpejt në hierarki, duke u bërë superiori provincial i jezuitëve në Argjentinë dhe Uruguai në moshën vetëm 36-vjeçare, nga viti 1973 deri më 1979. Megjithatë, suksesi i hershëm u shoqërua me kritika. Koleget e tij e përshkruanin si të ngurtë dhe kokëfortë – diçka që edhe vetë ai do ta pranonte më vonë. Stili i tij autoritar në drejtim dhe vendimmarrje, si dhe përplasjet me teologë apo jezuitë të tjerë që ai i hiqte nga postet nëse nuk binin dakord me të, e detyruan urdhrin të kërkonte drejtim të ri. I internuar në Córdoba, rreth 400 km larg kryeqytetit, ai kaloi disa vite duke rrëfyer, shërbyer të varfërve dhe lexuar – përfshirë histori të papëve – gjë që e riformësoi vizionin e tij mbi atë që duhet të jetë përparësia e një prifti. Duke mësuar të jetojë me përulësi, ai kuptoi se thirrja e një prifti – dhe edhe e një pape – duhet të përkufizohet nga shërbimi, jo nga pushteti.

Pas kësaj periudhe “rehabilitimi”, me shumë kohë për lutje dhe reflektim, Bergoglio rishikoi marrëdhëniet me udhëheqësit e Kishës në Argjentinë, përfshirë atë që atëherë ishte kryepeshkopi i Buenos Airesit. Në vitin 1992, ai u emërua ipeshkëv ndihmës i qytetit dhe më pas, në vitin 1998, u bë kryepeshkop. Në këtë rol, ai zgjodhi të mos jetonte në rezidencën luksoze zyrtare, por në një apartament të thjeshtë. Edhe pasi u bë kardinal në vitin 2001 – një “princ i Kishës” – ai udhëtonte me autobus publik dhe mbante meshë në lagjet e varfra të qytetit, jo në katedralet madhështore.

Kur mbushi 75 vjeç – mosha kur zakonisht ipeshkvijtë dorëhiqen – Bergoglio ishte i gatshëm të linte administratën e kishës dhe të përkushtohej plotësisht ndaj shërbimit në lagjet e varfra. Por atëherë ndodhi diçka që nuk kishte ndodhur prej 700 vitesh: Papa Benedikti XVI dha dorëheqje. Disa ditë pas zgjedhjes si papë, Françesku u takua me mbi 5,000 gazetarë që kishin ndjekur konklavën historike dhe deklaroi se ëndërronte një “Kishë që është e varfër dhe për të varfërit.” Në meshën e inaugurimit, në prani të dhjetëra liderëve botërorë, ai ofroi një vizion të qartë për mandatin e tij: drejtuesit e Kishës duhet të jenë “mbrojtës” të të gjitha krijesave të Zotit dhe të tërë krijimit.

Për udhëtimin e tij të parë jashtë Romës si Papë, Françesku zgjodhi ishullin e vogël italian Lampedusa për të dhënë një mesazh të fortë. Aty, ai hodhi një kurorë lulesh në det në përkujtim të mijëra emigrantëve që kishin humbur jetën duke kaluar Mesdheun. Ai më pas dënoi “globalizimin e indiferencës” ndaj fatkeqësisë së tyre dhe e vendosi emigracionin në qendër të papatit të tij – një çështje që do ta fuste shpesh në përplasje politike me figura si Presidenti amerikan Donald Trump, politikani italian Matteo Salvini dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán.

Pothuajse nëntë vite më pas, në dhjetor 2021, gjatë një vizite në Qipro, ai ende bënte thirrje për ndërgjegjësim. Krahasoi kushtet e refugjatëve dhe emigrantëve me kampet e përqendrimit, duke thënë: “Lexojmë për kampet naziste dhe Gulagun e Stalinit dhe pyesim: ‘Si mundi të ndodhte?’ Vëllezër dhe motra, po ndodh tani.”

Në vitin 2015, ai u bë papa i parë që botoi një dokument të plotë të Kishës mbi ndryshimet klimatike, duke i cilësuar ato si “një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi.” Dokumenti me gati 200 faqe përmbante kritika të ashpra ndaj kapitalizmit të pakontrolluar, që ai tha se kishte shkatërruar planetin dhe kërcënonte të varfrit. Kur vendet u mblodhën në Paris në vitin 2015 për të miratuar marrëveshjet historike për klimën, ishte pikërisht fjala e Papës që i dha shtysë disa vendeve të firmosnin.

Ndryshe nga pararendësit e tij – Papa Benedikti XVI dhe Papa Gjon Pali II – të cilët u fokusuan kryesisht në sfidat politike dhe ekonomike të Europës post-komuniste, Françesku u përqendrua në botën myslimane me theks tek ndërtimi i një “kulture takimi”. Në vitin 2019, gjatë një vizite në Abu Dhabi, ai u bë papa i parë që kremtoi meshë në Gadishullin Arabik. Së bashku me Sheikun Ahmed el-Tayeb, imamin e madh të xhamisë Al-Azhar në Egjipt, ata nënshkruan Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, duke shpallur se njerëzit me fe të ndryshme mund dhe duhet të jetojnë paqësisht së bashku. Në vitin 2021, në kulmin e pandemisë COVID-19, ai u bë papa i parë që vizitoi Irakun, ku u takua me Ajatollahun e Madh Ali al-Sistani. “Armiqësia, ekstremizmi dhe dhuna nuk lindin nga një zemër fetare – ato janë tradhti ndaj fesë,” tha Papa. “Ne besimtarët nuk mund të qëndrojmë në heshtje kur terrorizmi abuzon me fenë.”

Megjithë përkushtimin e tij për dialog dhe paqe – dhe popullaritetin e tij në botë, duke u paraqitur në kopertinën e Time dhe të revistës LGBTQ The Advocate si “Personi i Vitit” – papati i tij u shënua nga tensione teologjike me shumë priftërinj dhe ipeshkvij konservatorë.

Në intervistën e tij të parë madhore, vetëm gjashtë muaj pas zgjedhjes, ai tronditi qarqet konservatore të Kishës duke sugjeruar që liderët fetarë duhet të flasin më pak për abortin dhe martesat mes të njëjtës gjini. Megjithatë, ai nuk ishte liberal në teologji – e krahasoi abortin me “punësimin e një vrasësi me pagesë” dhe i quajti debatet për çështje transgjinore si pjesë e një “kolonializmi ideologjik”. Gjithsesi, vendimi i tij për t’u hapur ndaj dhënies së kungimit për të divorcuarit e rimartuar, ndryshimi i mësimeve të Kishës në vitin 2018 për ta cilësuar dënimin me vdekje si “të papranueshëm”, si dhe lejimi i bekimeve për individë në lidhje të të njëjtit seks, irrituan fort kritikët e tij brenda Kishës.

E njëjta kokëfortësi që e karakterizoi si drejtues jezuitësh u rikthye edhe në vitin 2018, kur përjetoi krizën më të madhe të papatit të tij. Fillimisht mohoi akuzat e abuzimeve seksuale ndaj një ipeshkvi kilian, duke i cilësuar si “përgojim”. Më vonë, u detyrua ta largojë atë ipeshkëv dhe të pranojë: “Kam qenë pjesë e problemit.” Në vitin 2019, ai organizoi një samit historik në Vatikan me presidentët e të gjitha konferencave ipeshkvnore të botës, për të vendosur rregulla të reja mbi përballjen me abuzimet dhe fshehjet. Megjithëse janë miratuar standarde të reja, mënyra si Kisha trajton ende rastet e abuzimeve vazhdon të errësojë lidershipin e saj.

Sipas traditës katolike, shenjti Françesku i Asizit – emri që ai zgjodhi – kishte dëgjuar nga Zoti: “Shko dhe rindërto Kishën time.” Dhe pikërisht këtë synoi Papa Françesku. Ai fitoi zemrat e botës duke refuzuar luksin – nuk pranoi të jetonte në Pallatin Apostolik dhe mbante vetë çantën e tij. Por ndërsa këto gjeste sinjalizonin reforma të mëdha, shumë prej tyre mbeten të papërfunduara.

Tashmë, ndërsa kardinalët do të mblidhen për të zgjedhur pasardhësin e tij, detyra e madhe që ai ndërmori mbetet ende e hapur. A do të ndjekin ata gjurmët e rrugës që hapi ai – apo do të zgjedhin një drejtim krejt tjetër?