FLASH :

Michelle Obama lë të kuptohet për vështirësi në martesë gjatë viteve të saj në Shtëpinë e Bardhë, mes thashethemeve për divorc.

Michelle Obama ka zbuluar vështirësitë e saj martesore, ndërsa spekulimet për një ndarje me Barack Obamën vazhdojnë të shtohen.

Ish-Zonja e Parë e SHBA-ve e trajtoi këtë çështje në episodin e parë të podcast-it të saj të ri, IMO, të cilin e drejton së bashku me të vëllain, Craig Robinson.

“Nuk do t’i kisha përballuar tetë vitet në Shtëpinë e Bardhë pa vëllain tim të madh,” pranoi Michelle, 61 vjeç, duke folur për periudhën kur shërbeu si Zonja e Parë nga viti 2009 deri në 2017-ën. “Të jesh e martuar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara është një gjë për të cilën askush prej nesh nuk kishte llogaritur. Ne e dinim që Barack ishte i zgjuar dhe ambicioz, por, e dini ju…”

Michelle, e cila nuk e ka fshehur kurrë mospëlqimin e saj për politikën, tregoi se ishte Robinson ai që e bindi ta mbështeste kandidaturën e Obamës për president.

“Ti më binde ta mbështesja kandidaturën e tij. Dhe ai ishte mjaft i mençur sa të kuptonte që duhej të vinte tek ti për të të shitur idenë,” tha Michelle. “Sepse unë isha plotësisht kundër, thosha ‘jo, as që bëhet fjalë’.”

Ajo rrëfeu gjithashtu se, në fillimet e marrëdhënies së tyre, e shqetësonte fakti që Obama nuk ishte i përpiktë me oraret.

“Barack duhej të mësohej me idenë e të qenit në kohë… Kam një bashkëshort i cili, kur është koha për t’u nisur, ngrihet dhe shkon në banjë,” tha ajo me ironi. “Dhe unë i thosha: ‘Dëgjo, ora 3:00 për nisje do të thotë që i ke bërë të gjitha këto më parë. Mos fillo të kërkosh syzet në orën 3:00!’”

Sipas saj, Obama është përmirësuar me kalimin e viteve, por këto janë disa nga gjërat për të cilat duhej të përshtateshin si çift.

Craig Robinson e ktheu situatën në shaka duke thënë se ish-presidenti, i lindur në Hawaii, funksiononte “me orarin e ishullit.”

Në episodin e dytë të podcast-it, Michelle flet me shkrimtaren dhe aktoren Issa Rae për pakënaqësitë e saj ndaj mënyrës sesi Obama dhe miqtë e tij meshkuj kalojnë orë të tëra duke luajtur golf, pa shkëmbyer asnjë bisedë të thellë.

“Bashkëshorti im nuk e kupton plotësisht kompleksitetin e miqësive mes grave dhe ndonjëherë e ndërpret kohën tonë të vajzave,” shpjegoi ajo. “Ai më pyet gjithmonë: ‘Po për çfarë flisni gjithë ditën?’”

Podcast-i IMO, një akronim për “In My Opinion” (Sipas Mendimit Tim), do të sjellë biseda të Michelle dhe vëllait të saj, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre personale, duke shmangur komentet mbi çështjet aktuale politike.