A duhet të votojnë prindërit, motrat, vëllezërit dhe gratë për Edi Ramën tani që bastet janë hapur? Kjo është pyetja që çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes, ndërkohë që llotot dhe bastet sportive po mbijnë si kërpudha në çdo cep të vendit, me bekimin e heshtur të shtetit.
Kur qeveria vendosi në fund të vitit 2018 të mbyllte bastet sportive, shumë menduan se ishte fundi i epokës së errët të kumarit. Por sot, përpara se të miratohet ligji i ri, ato janë rikthyer edhe më të forta, dhe sërish pas tyre qëndrojnë të njëjtat figura që drejtësia supozohet se po heton.
Në Tiranë dhe qytetet kryesore janë hapur qindra pika me logot “333” dhe “CR7”, që në dukje janë kafene sportive, por në realitet janë vende ku bastet ilegale luhen hapur, pa frikë nga ligji. Këto investime miliona euroshe drejtohen nga grupi Doshi-Babasi, të cilët po shtrijnë kontrollin mbi këtë industri fitimprurëse, duke pritur vetëm firmën zyrtare nga Komisioni i Licencave.
Ndërkohë që policia dhe institucionet bëjnë sikur nuk shohin, skema funksionon përmes kompanive të regjistruara në emra të tretë, që maskohen si kafene, por në të vërtetë janë qendra bastesh ilegale. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe drejtori i Policisë Ilir Proda heshtin, ndërsa tregu i kumarit rikthehet më i fuqishëm se kurrë.
SPAK deri më tani ka mjaftuar me disa arrestime sporadike, ndërsa bosët e mëdhenj vazhdojnë të hedhin miliona euro për të garantuar dominimin e tyre. Lëvizjet financiare të dyshimta janë përqendruar veçanërisht në qarkun e Dibrës, ku Doshi po përdor burime të mëdha parash për zgjedhjet e ardhshme.
Pavarësisht se qeveria nuk ka shpallur ende zyrtarisht procesin e licencimit të basteve, duket se fituesit e garës dihen tashmë. Në këtë realitet, shtrohet pyetja: Kush u ka dhënë garanci Tom Doshit dhe Ndriçim Babasit se ata do të jenë zotëruesit e ardhshëm të tregut të basteve? Dhe më e rëndësishmja, a do të vijojnë shqiptarët të mbështesin një qeveri që bashkëjeton hapur me botën e krimit?
