FLASH :

Forbes | Me shifra: Njihuni me listën Forbes 30 Nën 30 – Evropa 2025

Zgjuarsia, vetë-mjaftueshmëria dhe shpikja janë çelësat e suksesit në klimën e sotme konkurruese të biznesit. Por këtë s’ka nevojë t’ua thuash të përzgjedhurve të listës Forbes 30 Nën 30 për Evropën të vitit 2025. Ata po ndërtojnë të ardhmen ndërsa përballen me një luftë tregtare globale, një luftë të vërtetë në Ukrainë dhe një revolucion të paprecedent të inteligjencës artificiale që po përmbys rregullat e punës, kreativitetit dhe kapitalizmit në kohë reale. E megjithatë, shpikjet janë të shumta. Ata po krijojnë botë virtuale, po revolucionarizojnë fertilitetin, po e rindërtojnë shitjen me pakicë dhe po dominojnë industrinë e argëtimit.

Merrni shembull Fabian Kamberin, i cili po përpiqet të ringjallë tregun në rënie të metaversit. Startup-i i tij i lojërave, Slay, është krijuesi i lojës së suksesshme Pengu. Aplikacioni lejon përdoruesit të krijojnë dhe të rrisin penguina virtualë dhe të luajnë me miqtë. Deri më tani ka tërhequr 10 milionë përdorues dhe investitorë të rëndësishëm si Accel, Scooter Braun dhe Harry Stebbings, të cilët kanë investuar 20 milionë dollarë. “Ne po ndihmojmë të rikthejmë Evropën si një qendër për aplikacionet dhe lojërat për konsumatorët, duke treguar se inovacioni në shkallë globale mund të vijë nga kudo,” thotë Kamberi, 25 vjeç. Përveç miqësisë virtuale, Slay ka zhvilluar edhe një platformë sociale të drejtuar nga AI e quajtur frfr (for real for real). Emri është qëllimisht ironik – aplikacioni lejon përdoruesit të krijojnë dhe dërgojnë mesazhe zanore anonime me tonin e një personazhi të famshëm.

Ndërkohë, në botën reale, të tjerë të përzgjedhur po përdorin AI për të zgjidhur probleme të rëndësishme. Felicia von Reden, 29 vjeç, është bashkëthemeluese e Ovom Care, një klinikë fertiliteti që përdor inteligjencën artificiale për të eliminuar hamendjet në procesin invaziv dhe emocional të IVF-it. Ovom përdor mësimin makinerik për të identifikuar vezët dhe spermatozoidët më të përshtatshëm për një paciente. Softueri i saj ndihmon edhe mjekët të përcaktojnë medikamentet dhe dozat më të përshtatshme për secilin rast. Që nga hapja e klinikës së parë në vitin 2024, Ovom ka ndihmuar tashmë 350 gra në rrugëtimin e tyre drejt shtatzënisë dhe ka mbledhur rreth 8 milionë dollarë financime me një vlerësim prej 22 milionë dollarësh.

Të tjerë po vënë bast se AI do të transformojë mënyrën si reklamohet dhe blihet. Flore Lestrade, 26 vjeç, Tristan François, 26, dhe Christian Kotait, 25, po ndërtojnë Veeton, një mjet që u lejon shitësve të veshjeve të shfaqin produktet e tyre përmes modeleve virtuale jashtëzakonisht realiste të krijuara nga AI. Teknologjia e tyre u jep mundësi kompanive të tregojnë një shumëllojshmëri të madhe përmasash dhe stilimesh, dhe me kosto më të ulët. Në anën tjetër, Frederic Boesel dhe Jonas Muller po ndërtojnë teknologji tekst-në-imazh me startup-in e tyre Black Forest Labs. Dyshja ka mbledhur 31 milionë dollarë nga Andreessen Horowitz dhe tashmë po bashkëpunojnë me korporata si Deutsche Telekom për të gjeneruar të gjitha imazhet e marketingut me modelin e tyre Flux. Në total, kompanitë e përfshira në listën 30 Nën 30 të vitit 2025 kanë mbledhur mbi 800 milionë dollarë financime.

Në industrinë e argëtimit, të përzgjedhurit tanë dominojnë ekranet e mëdhenj dhe të vegjël. Ella Purnell, 28 vjeç, është aktore e njohur për rolet në serialet “Fallout” dhe “Yellowjackets”. India Amarteifio, 23, është aktorja fituese e çmimeve nga seriali i Netflix-it “Queen Charlotte: A Bridgerton Story”. Ndërkohë, në ekranet më të vegjël, përfshihet krijuesi i përmbajtjes David Cánovas Martínez, 27 vjeç, i njohur si “TheGrefg” për fansat e lojërave. Ai ka 48 milionë ndjekës në YouTube, Twitch, Instagram dhe TikTok. Po ashtu, Tamanna Kaur, 24 vjeç, ka mbi 3 milionë ndjekës dhe 71 milionë shikime për përmbajtjen e saj mbi fuqizimin e grave.

Për të përzgjedhur këtë grup të jashtëzakonshëm, redaktorët e Forbes punuan me juristë ekspertë – përfshirë muzikantin Sam Smith, drejtuesen e podkasteve të Spotify për Europën Qendrore, Saruul Krause-Jentsch, dhe stilisten e modës Stella Jean – për të shqyrtuar mbi 10 mijë kandidatë, duke i vlerësuar për ndikimin, të dhënat financiare dhe kreativitetin e tyre.

Rezultati: 300 liderë të rinj që po drejtojnë të ardhmen e Evropës, duke shfrytëzuar një moment pasigurie globale për të ndërtuar kompanitë e mëdha të së ardhmes.