Pas një periudhe të gjatë me reshje, dita e parë me diell në Tiranë ka sjellë një tjetër situatë të njohur për qytetarët: bllokimin total të Unazës së Madhe. Qindra qytetarë kanë mbetur në trafik për orë të tëra, pa mundur të arrijnë në destinacionet e tyre.

Përveç trafikut të rënduar, situata është përkeqësuar edhe nga një aksident automobilistik. Një mjet tip Suzuki është përplasur me një Volkswagen, në një zonë ku, për shkak të trafikut të ngadaltë, supozohej që automjetet të lëviznin me shpejtësi minimale. Ironikisht, edhe në kushte të tilla ndodhin aksidente, çka shton paradoksin e këtij realiteti rrugor.

Kaosi në infrastrukturën e kryeqytetit është kthyer tashmë në një përditshmëri për qytetarët, ndonëse qeveria vijon të propagandojë një realitet ndryshe, duke e paraqitur situatën sikur gjithçka është në përmirësim dhe investimet po japin rezultat. Në terren, megjithatë, qytetarët përballen me të kundërtën.
Kësaj situate i shtohet edhe fluksi në rritje i turistëve të huaj, të cilët nga viti në vit po shtohen ndjeshëm. Ndërkohë, punimet në aksin Tiranë-Durrës pritet ta përkeqësojnë më tej qarkullimin, duke e futur qarkullimin në një “ferr” të përditshëm për qytetarët dhe vizitorët.
