Në seancën e radhës së gjyqit për aferën Partizani, mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha ka kërkuar që të thirret si dëshmitar edhe Edi Rama, në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Sipas avokatit Genc Gjokutaj, Rama është person kyç në këtë proces, duke pretenduar se ishte ai personi që përpiloi bazën ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.









