Momente rrëqethëse janë regjistruar në Vrachneika, Achaia, ku banorët vendas u detyruan të hynin me nxitim në det dhe të notonin drejt varkave të shpëtimit për t’i shpëtuar zjarreve që po shkrumbonin zonën. Pamjet tregojnë vullnetarët e Kryqit të Kuq Helenik duke ndihmuar të tmerruarit të hipnin në bord, ndërsa qielli ishte mbuluar nga tymi i zi dhe hiri, dhe flakët përparonin me shpejtësi.
Zjarri shpërtheu të martën në mesditë dhe vazhdoi deri të mërkurën. Era më e dobët u dha mundësi ekipeve të zjarrfikësve në Greqi, Spanjë dhe Portugali të fokusoheshin në vatrat ekzistuese, duke kryer hedhje uji nga ajri. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se temperaturat ekstreme do të vazhdojnë dhe rreziku mbetet i lartë në gjithë Evropën Jugore.
Në Spanjë, një zjarrvënës vullnetar 37-vjeçar humbi jetën nga djegiet e marra, ndërsa dy viktima të tjera u raportuan këtë javë. Mijëra persona u evakuan dhe nuk janë rikthyer ende në banesat e tyre. Në Greqi, një zjarr masiv pranë portit të Patrasit u vu nën kontroll falë një operacioni të gjerë, ndërsa tre persona u arrestuan, me dyshimin se zjarri ishte i qëllimshëm.
Bashkimi Evropian ka aktivizuar misionet e ndihmës 16 herë vetëm këtë sezon zjarresh, duke dërguar avionë dhe helikopterë nga shtete të tjera anëtare. Në Shqipëri, zjarret në pjesën qendrore dhe jugore janë vënë nën kontroll pasi dogjën mbi 200 banesa, me kryeministrin Edi Rama që premtoi ndëshkim për zjarrvënësit.
Situata është e rëndë edhe në Marok, ku këtë javë u përballën me zjarrin më të madh të vitit pranë Bab Taza, dhe në Turqi, ku një punonjës pyjor humbi jetën të mërkurën në një aksident me mjet zjarrfikës, duke e çuar në 18 numrin e të vdekurve nga zjarret që prej fundit të qershorit.














