Një video tronditëse tregon momentin kur toreadori 35-vjeçar, Yovanis Márquez, humbi jetën pasi u përplas disa herë nga një dem gjatë një festivali tradicional “corraleja” në qytetin Fundación, në rajonin Magdalena të Kolumbisë. Ngjarja ndodhi të shtunën, përpara qindra spektatorëve.
Sipas raporteve lokale, Márquez u hodh drejt kafshës dhe tentoi ta kapërcente, por nuk e kaloi dot dhe u sulmua disa herë, mes britmave të turmës. Në video shihet teksa të pranishmit e ndihmojnë të ngrihet dhe e nxjerrin nga arena, por ai ndërroi jetë pak më vonë në spital për shkak të plagëve të rënda. “U ngrit sikur ishte mirë, por gjaku po rridhte. Vetëm pak sekonda më pas ra përtokë,” citohet një dëshmitar nga El Tiempo.
Organizata për të drejtat e kafshëve Plataforma ALTO njoftoi se “burri ndërroi jetë pasi u godit nga një dem i plagosur, në një akt vetëmbrojtjeje, gjatë ‘festimeve’ të bashkisë,” duke ndarë edhe pamjet në rrjetet sociale. Festat “corraleja” janë traditë popullore në disa zona të Kolumbisë, ku pjesëmarrësit hyjnë në arenë për sfida përballë demave, shpesh pa masa të mjaftueshme sigurie. Autoritetet lokale pritet të hetojnë rrethanat e ngjarjes.