Kryeqytetet europiane janë përfshirë nga frika se Presidenti rus Vladimir Putin mund të shfrytëzojë samitin e papritur me Presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë për të ndarë aleancën transatlantike dhe për të marrë gjithçka kërkon në Ukrainë. Diplomatët e BE-së shprehen të shqetësuar nga mungesa e transparencës mbi propozimet e Kremlinit për ndalimin e luftimeve, ndërsa deklaratat e Trump për “shkëmbim territoresh” nxisin dyshime se Kievi mund të detyrohet të heqë dorë nga qytete strategjike në rajonin e Donetskut, si Sloviansk, Kramatorsk dhe Kostyantynivka.
Liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, BE-së, si dhe Polonisë e Finlandës, kanë theksuar se “kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë” dhe kërkojnë që çdo marrëveshje të përfshijë garanci të forta sigurie për Ukrainën. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se lëshime territoriale do të shërbenin si trampolinë për agresione të ardhshme të Rusisë, duke evokuar paralelizma me Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938. Ndërkohë, BE-ja druhet se do të mbetet spektatore, teksa SHBA-ja, sipas kritikëve, vepron pa një strategji të qartë për Ukrainën, duke ndjekur më shumë impulse dhe ambicie personale të Trump se sa një plan afatgjatë për sigurinë europiane.


