Një zyrtar i lartë i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) do të vizitojë Iranin të hënën për bisedime, por nuk është planifikuar asnjë inspektim në objektet bërthamore, ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Vizita vjen pas sulmeve të para ajrore të Izraelit ndaj impianteve bërthamore iraniane gjatë një lufte 12-ditore në qershor, pas së cilës inspektorët e IAEA-së nuk kanë pasur më qasje në këto objekte.
Irani ka akuzuar agjencinë se “hapi rrugën” për bombardimet, pas një raporti të datës 31 maj që çoi në vendimin e Bordit të Guvernatorëve të IAEA-së për ta shpallur Teheranin në shkelje të detyrimeve të marrëveshjes së mos-përhapjes bërthamore. Teherani këmbëngul se nuk po kërkon armë bërthamore dhe se mbetet i përkushtuar ndaj Traktatit të Mos-Përhapjes (NPT). Araghchi tha se bisedimet do të fokusohen në përcaktimin e një kuadri bashkëpunimi, ndërsa çdo inspektim i ardhshëm do të kërkojë miratimin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, sipas ligjit të ri të miratuar nga parlamenti.