FLASH :

Daja i Endrit i bllokon mandatin Tikut: Zeqir Kordhoni “çmonton” marrëveshjen e fshehtë, Lapaj mbetet në derë të Kuvendit!

Ajo që nisi si një skemë e menduar hollë për të çuar Adriatik Lapajn në Parlament, tani është kthyer në një telenovelë politike me elementë familjarë. Protagonisti i papritur? Zeqir Kordhoni, një punëtor ndërtimi, invalid me KEMP, i listuar si kandidati i 9-të i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë… dhe DAJA i vetë Endri Shabanit, bashkëthemelues i koalicionit dhe bashkëudhëheqës politik i Lapajt.


Po, e lexuat mirë: daja i Endrit i ka bllokuar mandatin Tikut.
Skema dukej e thjeshtë: lista e mbyllur përfshinte 12 kandidatë që kishin pranuar paraprakisht të dorëhiqeshin pas zgjedhjeve, për t’ia lënë mandatin më të votuarit të listës së hapur – që në këtë rast ishte Adriatik Lapaj. Por ajo që s’u llogarit ishte se, brenda kësaj liste, fshihej një emër kyç: Zeqir Kordhoni, familjar i ngushtë i Shabanit, që nuk ka ndërmend të heqë dorë nga posti.


Zeqiri ka ndryshuar mendje. “S’e mbaj mend çfarë kam firmosur, kam firmosur shumë gjëra gjatë fushatës. Por një gjë është e qartë: nuk jam i bindur që do lë mandatin. Nëse Tiku do të shkojë në Kuvend, duhet të kalojë nga unë,” – tha Kordhoni, duke lënë të kuptohet se nuk është thjesht një keqkuptim teknik, por një pozicionim i qëllimshëm.
Dhe arsyeja? Burime pranë koalicionit tregojnë se Endri Shabani, bashkëkryetar i NSHB-së, nuk është më në një mendje me Adriatik Lapajn për drejtimin e mëtejshëm të lëvizjes. Dhe tani ka aktivizuar “kartën familjare” për t’i prerë rrugën drejt Kuvendit.


“Është e qartë që daja i Endrit po vepron me bekimin e nipit,” thotë një burim brenda fushatës. “Endri nuk do që Tiku të marrë mandatin dhe po e bllokon përmes Kordhonit. Kjo nuk është më lojë politike, është konflikt gjaku… politik.”


Në këtë farsë demokratike, ku listat mbushen me emra fiktivë dhe dorëheqjet shkruhen si çekë të bardhë, tashmë një dajë është kthyer në “portierin” e mandatit. Me një të firmosur mund të kishte kaluar, por tani Lapaj duhet të negociojë në gjuhën e familjes.


Pyetja e vetme që mbetet: a do guxojë Tiku të shkojë kundër dëshirës së dajës së Endrit? Apo do presë një tjetër palë zgjedhje, kur marrëveshjet të mos firmosen në tavolina, por të kuptohen me sy?