Ervin Salianji është liruar sot nga burgu, pas përfundimit të një viti dënim, dhe rikthimi i tij në skenën politike po shkakton lëkundje serioze brenda Partisë Demokratike. Ish-deputeti demokrat ka paralajmëruar një konferencë për shtyp në orën 17:00 në selinë blu, ku, sipas burimeve të brendshme, pritet të shpallë zyrtarisht kandidaturën për drejtimin e PD-së.
Edhe pse i izoluar për një vit, Salianji ka ruajtur ndikimin e tij në radhët e partisë, duke u mbështetur nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve demokratë. Kjo e bën atë një konkurrent të fortë në garën për kryetar. Rikthimi i tij ka ngjallur tensione të ndjeshme te grupimi që mbështet aktualisht Sali Berishën, ndërsa ashpërsimi i garës për drejtimin e PD-së pritet të thellohet ditët në vijim.
Salianji shihet nga shumë anëtarë të PD-së si një figurë e re me profil opozitar të artikuluar, që mund të përfaqësojë një alternativë të re kundrejt lidershipit aktual. Ai është përfolur prej kohësh si një zë i fortë kundër drejtësisë së politizuar dhe si një nga denoncuesit më të zëshëm të mazhorancës.
Ndërkohë, në skenën politike është rikthyer edhe një tjetër emër i njohur: Grida Duma. Pas një viti të mbushur me sfida personale dhe reflektim, Duma ka pranuar së fundmi se “ka sakrifikuar shumë për dashurinë” – një deklaratë që mori kuptim pas lirimit të Salianjit. Burime pranë PD-së pohojnë se dyshja ka qenë në një marrëdhënie të qëndrueshme gjatë kësaj kohe, e cila është mbajtur disi diskrete për shkak të rrethanave.
Sot, vëmendja nuk është vetëm te politika. Grida Duma është parë pranë Salianjit, më e qeshur dhe më e lumtur se kurrë, duke i dhënë konferencës së tij jo vetëm peshë politike, por edhe një përkrahje të fortë personale. Të afërm të çiftit theksojnë se ajo ka qenë një mbështetje e pandalshme gjatë gjithë vuajtjes së dënimit të tij, dhe se rikthimi i Salianjit shënon një kapitull të ri si në jetën politike, ashtu edhe në atë personale të çiftit.
Lajmi ka gjallëruar debatet në rrjetet sociale dhe në ambientet e PD-së, ku Salianji po perceptohet si një pretendent serioz për drejtimin e forcës më të madhe opozitare. Ndërsa Grida Duma duket më e vendosur se kurrë të qëndrojë përkrah tij – në jetë dhe, ndoshta, edhe një herë tjetër në politikë.
Sot, në Partinë Demokratike, Grida është pa dyshim personi më i lumtur.