Tre muaj para përfundimit të dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë për ‘dosjen Babale’, Ervin Salianji është liruar nga qelia. Vendimi u dha sot në gjykatën e Fierit, ku trupa gjykuese vendosi në favor të lirimit me kusht të ish-deputetit të PD, pasi Shërbimi i Provës paraqiti një raport pozitiv për 9 muajt e qëndrimit të tij në qeli,ndërsa edhe prokuroria dha dakordësinë.
I pranishëm në seancë ishte edhe vetë ish-deputeti. Salianji do të lirohet sot, por u shoqërua në burg deri në pritje të ekzekutimit të vendimit të gjykatës. Pasi doli nga seanca, Salianji u shfaq i buzëqeshur për gazetarët, por tha se do të mbajë një konferencë në 17:00 nga selia e PD. Avokati Ledio Braho e përshkroi vendimin si një “element minimal drejtësie” në gjithë procesin që e cilësoi si politik.
“Më në në fund pati një element minimal drejtësie për te. I gjithë procesi sipas mendimit tim është krejtësisht i padrejtë, ishte dënim politik por sot arritëm të shkurtonim më pak se dy muaj e gjysmë nga dënimi i mbetur. Procedurat janë që duhet të lirohet brenda ditës së sotme. Salianji sqaroi se beteja e tij ka qenë për interesin publik.“, u shpreh Braho.