FLASH :

“Verë e nxehtë” për zaptuesit e hapësirave publike në Tiranë – Rama paralajmëron gjoba dhe ndjekje penale

Kjo verë pritet të jetë e zjarrtë jo vetëm për shkak të temperaturave të larta, por edhe për zhvillimet politike që kanë nisur të trazojnë ujërat në disa qytete. Pas “furtunës” në Vlorë, ku të gjithë drejtorët e bashkisë dhanë dorëheqjen pas një takimi me kryeministrin, vëmendja është zhvendosur në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar këtë të shtunë një ofensivë të re ndaj atyre që kanë zaptuar hapësirat publike në kryeqytet, duke njoftuar ndëshkime të rënda për të gjithë shkelësit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe foto nga zona e 21 Dhjetorit, Rama denoncoi zaptimin e trotuareve dhe hapësirave të përbashkëta, duke theksuar se nuk do të ketë më tolerim për askënd.

Sipas kryeministrit, kushdo që ka guxuar të marrë për vete hapësirat publike, do të përballet jo vetëm me gjoba, por edhe me ndjekje penale. Ky paralajmërim vjen si pjesë e një fushate të re për rikthimin e qytetit tek qytetarët dhe jo në duart e abuzuesve.

“Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori – kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cënim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë… Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon!”-shkruan Rama.

Pas këtij reagimi, Rama ka publikuar edhe mesazhin e një qytetari që ankohet për zënien e hapsirës publike.

“Mirdita kryeministër! Duke marre shkas nga aksioni qe keni nisur për zaptimin e hapësirave publike nga bizneset, bashkëngjitur po ju dërgoj një video te kompleksit ASL ne Tirane, ne krah te spitalit te Neurokirurgjisë, njësia nr 3, ku per ne si banore te kompleksit është e vështire lëvizja për shkak se lokalet e kane shtrire veprimtarine e tyre edhe ne hapësirën e përbashkët te pallatit. Video qe do ju dërgoj e tregon qartë ketë situate”. Barrikada tipike që duhen shkulur nga vetë ngulësit e tyre, përpara se sa bashkë me shkuljen t’u mbetet në dorë edhe fatura e gjobës, bashkë me ndjekjen penale!“-thuhet në mesazhin e qytetarit.