Nga Maksi Çami
Dita e Pavarësisë së SHBA-së, 4 Korriku, është një kujtesë e fuqishme e vlerave demokratike që themeluan shtetin amerikan. Teksa amerikanët festojnë demokracinë e tyre të konsoliduar prej më shumë se dy shekujsh, një pyetje e hidhur lind për ne shqiptarët: përse duket e pamundur që Shqipëria të arrijë ndonjëherë një demokraci funksionale si ajo amerikane? Në pamje të parë, Kushtetuta jonë parashikon të njëjtat parime ndarjen e pushteteve dhe zgjedhje të lira por realiteti tregon se këto shtylla funksionojnë ndryshe në praktikë.
Demokracia amerikane që prej Kushtetutës së vitit 1787 ka ndërtuar një sistem të fortë kontrolli dhe ekuilibri midis pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Presidenti zgjidhet veçmas nga Kongresi, Kongresi bën ligje por përballet me veton e Presidentit, ndërsa gjykatat federale janë të pavarura dhe mund të shpallin të pavlefshëm aktet e paligjshme të dy pushteteve të tjera. Kjo ndarje e qartë ka mundësuar llogaridhënie dhe kufizim të abuzimit me pushtetin. Edhe kur një parti kontrollon njëkohësisht Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin, sistemi gjyqësor dhe traditat institucionale kufizojnë përqendrimin absolut të pushtetit.
Në Shqipëri, ndarja e pushteteve është e sanksionuar në Kushtetutë, por në praktikë ky parim shpesh mbetet në letër. Pushteti ekzekutiv ka ushtruar ndikim të tepruar mbi gjyqësorin dhe institucionet e pavarura, duke i bërë këto të fundit de facto të varura nga vullneti politik i radhës. Kryeministri dhe qeveria, sidomos tani kur kanë një shumicë të fortë parlamentare, shpesh emërojnë apo shkarkojnë figura kyçe mbi bazë besnikërie partiake. Kjo do të ishte e paimagjinueshme në SHBA, ku emërimet kalojnë në filtra rigorozë dhe ku gjyqësori nuk “pastrohet” sa herë ndërrohet pushteti.
Një shembull konkret është fenomeni i kapjes së shtetit. Politikanët shqiptarë, kur vijnë në pushtet, vendosin njerëzit e tyre në çdo hallkë të administratës, nga gjykatat te policia dhe entet rregullatore, duke krijuar një rrjet besnikërie personale. Ky nepotizëm dhe klientelizëm çon në dominim ekzekutiv absolut. Policia, administrata, çdo agjenci qeveritare dhe madje edhe bizneset private bëhen zgjatim i pushtetit, ndërsa fuqia e shtetit mbetet pothuajse e pakontrolluar. Në një demokraci normale, ndërrimi i qeverisë nuk përmbys institucionet dhe nuk shkakton spastrime masive të administratës. Tek ne shpesh ndodh e kundërta, mijëra vende pune dhe vendime varen nga cila parti është në pushtet. Mungesa e një ndarje efektive të pushteteve minon shtetin ligjor dhe e bën pothuajse të pamundur mbajtjen përgjegjëse të qeveritarëve.
SHBA zhvillon zgjedhje të rregullta që prej vitit 1788 me traditë të gjatë të tranzicionit paqësor të pushtetit. Edhe rivalitetet më të ashpra zakonisht përfundojnë me pranimin e rezultatit nga pala humbëse. Sistemi maxhoritar dhe ndarja e qartë midis zgjedhjes së Presidentit, Kongresit dhe autoriteteve lokale kanë prodhuar stabilitet institucional. Kontestimet zgjedhore janë përjashtim, jo normë.
Në Shqipëri, sistemi proporcional me lista partiake ka forcuar rolin e kryetarëve të partive. Deputetët zgjidhen përmes listave ku besnikëria e tyre është ndaj kryetarit që i vendos, jo ndaj zgjedhësve. Çdo palë zgjedhje parlamentare apo lokale shoqërohet me akuza për parregullsi, nga blerja e votës te manipulimi i rezultateve. Humbësit rrallë i besojnë procesit, duke sjellë bojkotime dhe kriza politike. Akuzat për vjedhje votash janë bërë aq të zakonshme sa kanë gërryer rëndë besimin publik tek procesi. Ndryshe nga SHBA ku vota shihet si mjet ndryshimi dhe qytetarët krenohen me traditën demokratike, në Shqipëri vota shpesh perceptohet si mjet për përfitim personal, një vend pune apo leje ndërtimi. Kur votuesit votojnë për interesa të ngushta, edhe qeverisja reflekton të njëjtën logjikë klanore.
Shqipëria vuan nga korrupsioni në çdo nivel, nga zyrtarët e lartë deri te shërbimet bazë ndaj qytetarëve. Qytetari i zakonshëm e di se një hall zgjidhet më shpejt me para nën dorë ose një telefonatë te të njohurit, sesa me rrugë ligjore. Kjo kulturë depërton në politikë dhe drejtësi. Pandëshkueshmëria është bërë normë, institucionet ekzistojnë por vendimet merren nga pazaret korruptive.
Politika shqiptare karakterizohet nga dritëshkurtësia dhe mungesa e një vizioni kombëtar. Themeluesit amerikanë menduan për brezat e ardhshëm kur ndërtuan institucionet. Në Shqipëri, vendimet merren për kalkulime elektorale ose përfitime personale. Reformimi i drejtësisë, një përpjekje jetike, vazhdon të hasë rezistencë nga interesa të ngulitura që druhen se humbasin influencën.
Pengesa më e madhe mbetet mentaliteti klanor. Votuesit mbështesin një kandidat jo për programin e tij, por sepse është i yni dhe do na rregullojë. Zyrtarët ndihen të detyruar t’u shpërblejnë favore farefisit dhe miqve.
Demokracia amerikane nuk është e përsosur, por themelet e saj janë mbrojtur brez pas brezi. Në Shqipëri, sëmundjet e korrupsionit, mungesës së vizionit dhe mentalitetit klanor e bëjnë të pamundur të arrijmë një demokraci të ngjashme. Megjithatë, ndryshimi kulturor është i vështirë por jo i pamundur. Ndoshta brezi i ri, më i ekspozuar ndaj vlerave perëndimore dhe i lodhur nga status quo-ja, do të thyejë këtë rreth vicioz. Deri atëherë, 4 Korriku mbetet një kujtesë e dyfishtë: se çfarë mund të arrijë një komb kur vendos lirinë dhe ligjin mbi gjithçka dhe sa punë na pret ende për t’iu afruar këtij ideali demokratik.







