Pas ultimatumit të qartë të dhënë nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Vlorës, të gjithë drejtuesit e drejtorive të varësisë lokale kanë paraqitur dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha.
Burime nga brenda Bashkisë bëjnë me dije se menjëherë pas largimit të Ramës nga ambientet e institucionit të enjten, Kryetari Dredha ka mbledhur të gjithë drejtuesit dhe ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen e tyre.
Ndërkohë, Kryeministri ka ngritur dy grupe pune për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor:
• Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të ketë në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë. Sipas Ramës, çdo drejtues që nuk ka kryer detyrën ashtu siç duhet, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa zëvendësuesit e tyre do të kalojnë në një periudhë prove tre-mujore për të vërtetuar aftësitë e tyre.
• Grupi i dytë, ku bëjnë pjesë Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të analizojë emrat e mundshëm për drejtuesit e rinj të Bashkisë së Vlorës.
Kryeministri ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.
Mësohet se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Bashkinë e Vlorës, shumë prej pjesëmarrësve kanë qenë të thirrur personalisht nga vetë Kryeministri. Të pranishëm kanë qenë edhe deputetët e Qarkut, ku dy prej tyre, Erjona Ismaili dhe Zamira Sinaj, kanë qenë mjaft kritikë ndaj punës së Bashkisë. Në sy të të gjithëve, ato janë ankuar për vonesat dhe zvarritjet që, sipas tyre, po bëhen në zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.
Reformimi në administratën lokale të Vlorës pritet të sjellë një “pastërti” të thellë në radhët drejtuese, teksa Kryeministri ka paralajmëruar qartë se askush nuk do të mbajë postin nëse nuk e justifikon me punë konkrete.
Drejtorët e Bashkisë së Vlorës që kanë dhënë dorëheqjen pas takimit të kryeministrit Rama në ambientet e Bashkisë së Vlorës janë:
1-Zambak Selmanaj drejtor. i infrastrukturës dhe urbanistikes
2-Olsi Durrolli drejtor i përgjithshëm i ekonomisë
3- Dorjan Demiri drejtor përgjithshëm juridik
4- Kozma Mali drejtor i financave
5- Jovan Jaupaj drejtor i Aseteve
6-Arlinda Tepelena drejtore e turizmit
7-Dorjan Xhelili drejtor NSHP
8-Francesko Tozaj drejtor i pastrimit
9-Endri Rrokaj drejtor i gjelbërimit
10-Anila Hitaj drejtor e shtëpisë së foshnjës
11-Irena Stasa drejtore e shërbimeve sociale pranë bashkisë
12-Elida Grabova drejtor e shtëpisë për personat me probleme mendore
13-Lorela Ballaj drejtore e shtëpisë se fëmijëve me aftësi te veçanta
14-Sokol Kananaj Drejtor i tatimeve pranë bashkisë
15-Ardian Vreshtazi drejtor i emergjencave civile
16-Sokol Toto drejtor teatri P. Marko
17-Genci Demiraj drejtor i Pallatit të Kulturës
18-Laura Brinja drejtore e burimeve njerëzore
19-Igli Zahaj i dorëhequr drejtor i IMT
20-Emiljano Ismalili i dorëhequr drejtor i polic bashkiake
21- Elona Merkaj drejtore e pallatit të sportit







