Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një ndërhyrje të drejtpërdrejtë gjatë seancës së sotme parlamentare, ka kritikuar ashpër qeverinë për mënyrën se si po paraqitet situata ekonomike në vend, duke i quajtur të rreme dhe manipuluese të dhënat mbi rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Sipas Tabakut, e vetmja arsye pse buxheti ka shënuar rritje është rritja e çmimeve dhe e taksave, jo përmirësimi i administrimit fiskal apo lufta kundër informalitetit. “Janë të ardhurat që kanë ardhur në buxhet nga gjepat e qytetarëve shqiptarë. Ka një rritje të përgjithshme të çmimeve, që sjell automatikisht më shumë taksa. Nuk ka të ardhura që vijnë nga reforma ose qeverisje e mirë,” – u shpreh ajo.
Në qendër të kritikave të saj ishte bujqësia, sektor të cilin ajo e cilësoi si pasqyrën e vërtetë të gjendjes së ekonomisë shqiptare. Tabaku theksoi se bujqësia ka pesë vite që është në rënie ose në stanjacion, dhe se qeveria është kujtuar për të vetëm pas një pesëvjeçari heshtjeje. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, ajo tha: “Vetëm në tremujorin e fundit bujqësia ka rënë me 0.26%. Krahasuar me një vit më parë, rënia është 2.26%. Kjo është tabloja e vërtetë e ekonomisë”.
Tabaku akuzoi edhe deputetët e mazhorancës për mashtrim të qëllimshëm dhe përpjekje për të paraqitur një realitet të deformuar, duke e cilësuar si “pafytyrësi” tentativën për të mohuar rënien e vazhdueshme në bujqësi. Ajo përfundoi fjalën me një thirrje për transparencë dhe ndershmëri politike, duke paralajmëruar se “ekonomia shqiptare po rëndohet çdo ditë mbi barrën e qytetarëve, jo për shkak të krizave, por për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë qeveritare”.







