Qyteti pa ujë dhe me plehra që digjen/Banorët i zënë “pritë” Ramës në Vlorë, por i pengon Garda

Vizita e papritur e kryeministrit Edi Rama në Bashkinë e Vlorës këtë mëngjes është shoqëruar me tensione jashtë godinës, ku disa banorë të qytetit janë përpjekur të takojnë kreun e qeverisë për t’i paraqitur shqetësimet e tyre. Ata janë ndaluar nga efektivë të Gardës së Republikës dhe Policisë së Vlorës, të cilët nuk i kanë lejuar të futen brenda ambienteve të bashkisë.

Banorët e irrituar thanë se kanë ndjekur nga afër zhvillimet dhe sapo morën vesh për praninë e Ramës në zyrën e kryebashkiakut Ermal Dredha, kanë nxituar në përpjekje për t’i folur personalisht për problemet që po i rëndojnë prej muajsh.

Ne kemi raportuar prej kohësh për situatën alarmante në qytet: mungesën e ujit të pijshëm, digjen e mbetjeve urbane në vendgrumbullime pa asnjë standard, ndërprerje të gjata të furnizimit me ujë nën pretekstin e “ndërhyrjeve në rrjet”, si dhe një kantier ndërtimi që e ka kthyer qytetin në rrëmujë të plotë – rrugë të shqyera, pluhur, trafik i rënduar, zhurmë dhe papastërti.

Pak ditë më parë, një tjetër vatër mbetjesh në zonën e Nartës u përfshi nga flakët, duke çliruar tymra toksikë në ajër. Ky nuk është një rast i izoluar, pasi qyteti i Vlorës, edhe në mes të sezonit turistik, po përballet me pamje që i ngjajnë mesjetës, ku plehrat digjen në vend, dhe uji i pijshëm është luks.

Në pamjet e regjistruara pranë bashkisë, shihet një zonjë e moshuar që përpiqet të hyjë brenda për të takuar kryeministrin, por ndalohet nga Garda. Ajo duket e frustruar dhe e dëshpëruar, duke thënë se ky ishte ndoshta “shansi i fundit” për t’i zgjidhur problemet e saj, në mungesë të përgjigjes nga institucionet e tjera lokale apo qendrore.

Vizita e Ramës vjen vetëm disa javë pasi ai e kritikoi publikisht kryebashkiakun Dredha për digjen e mbetjeve gjatë një feste të Partisë Socialiste, dhe dërgoi dy ministra për inspektim në qytet. Sot, ai shoqërohej nga ministri Arbjan Mazniku, aktualisht nën hetim nga SPAK për çështje që lidhen me abuzime me fondet publike.

Nëse qëllimi i vizitës ishte kontrolli mbi situatën lokale, reagimi i qytetarëve tregon qartë se pak gjë ka ndryshuar. Ndërkohë që qyteti përgatitet të presë mijëra turistë gjatë korrikut dhe gushtit, infrastruktura e degraduar dhe problemet bazike si uji i pijshëm dhe menaxhimi i mbetjeve vazhdojnë të përkeqësohen.