FLASH :

Qëndresa Qytetare: Ushqimet më të shtrenjta se në BE, ndërsa shqiptarët me 41% të fuqisë blerëse europiane – një kambanë alarmi për qeverinë

Për herë të parë në vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri e kanë tejkaluar mesataren e Bashkimit Europian, sipas një raporti të publikuar nga EUROSTAT. Ushqimet në vendin tonë rezultojnë 1% më të shtrenjta se në BE, ndërkohë që fuqia blerëse e shqiptarëve është vetëm 41% e mesatares europiane.

Produktet më të shtrenjta janë vezët, qumështi dhe djathi, të cilat janë ngjitur në 131% të mesatares së BE-së, një rritje e ndjeshme krahasuar me 119.5% një vit më parë. Shqipëria, sipas Bankës Botërore, importon 16.1% të ushqimeve, duke e bërë ekonominë jashtëzakonisht të varur nga tregjet ndërkombëtare dhe kostot e tyre.

Përballë kësaj situate shqetësuese, Qëndresa Qytetare ka ngritur sërish alarmin, duke akuzuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) se është kthyer në një mbrojtës të interesave financiare të sipërmarrjeve, në vend që të garantojë sigurinë ushqimore të qytetarëve.

Sipas Qëndresës, në themel të kësaj krize qëndrojnë një sërë faktorësh si:

  • TVSH dhe taksat e larta për produktet bazë
  • Kostot e transportit
  • Spekulimet e tregtarëve
  • Mungesa e konkurrencës reale
  • Mungesa e kontrollit dhe ndërhyrjes efektive të shtetit

Organizata thekson se rritja me 67% e çmimeve të ushqimeve në dekadën e fundit është një kambanë alarmi për qeverinë që duhet të veprojë me politika urgjente. Ajo kërkon masa mbrojtëse për konsumatorin, akses të barabartë në ushqimet bazë, dhe transparencë në zinxhirin e furnizimit ushqimor, në mënyrë që qytetarët të mos paguajnë standarde europiane me të ardhura afrikane.