FLASH :

Endrit Shabani dhe sindroma e kolltukofagut të përjetshëm

Nga Maksi Çami

Nga të gjithë zërat që pretenduan të sillnin një model të ri politik në Shqipëri, pak kush u shfaq me aq ngulm dhe pretendim moral sa Endrit Shabani. Me fjalor të kulturuar, me literaturë ndërkombëtare në dorë, dhe me kauza që tingëllonin fisnike, ai u vetëpozicionua si antiteza e klasës së vjetër politike. Por zgjedhjet e 2025-ës treguan një realitet brutal: jo vetëm që qytetarët nuk e besuan këtë mesazh, por e braktisën totalisht. Rezultati ishte katastrofik. Dhe pikërisht këtu pritej të shfaqej fytyra e vërtetë e një lideri që thotë se kërkon t’i japë Shqipërisë një politikë ndryshe.


Por çfarë bëri Endrit Shabani? Asgjë nga ato që do të bënte një burrë shteti. Nuk kërkoi ndjesë për rezultatet. Nuk u tërhoq për t’i hapur rrugë reflektimit të brendshëm. Nuk pranoi dështimin. Përkundrazi, zgjodhi të postojë një foto filozofike në rrjete sociale, duke lexuar Varoufakis-in një marksist i dështuar grek. Në vend që të tregonte përulësi dhe përgjegjësi, Shabani po përpiqet ta kthejë humbjen në një pozë estetike të “të keqkuptuarit”, si të ishte një protagonist i tragjedive politike kontinentale, jo thjesht një kryetar partie që mori më pak vota se disa këshilltarë bashkiakë nëpër rrethe.


Kjo sjellje nuk është as naive dhe as rastësore. Është simptoma e qartë e një sindrome shumë të njohur në politikën shqiptare: sindroma e kolltukut të përjetshëm. E kanë vuajtur para tij Gjinushi, që ndërronte vetëm zyrat por jo funksionin; Berisha, që edhe pasi u shpall “non grata” nga SHBA nuk e lëshoi partinë; Rama, që e ktheu PS-në në një instrument të pushtetit personal; Meta, që ndërroi flamuj, por jo etjen për të qenë diku, në krye, gjithmonë. Të gjithë këta janë “kolltukofagë”, njerëz që ushqehen politikisht me karrigen, dhe që pa të humbasin vetë kuptimin.


Endrit Shabani, me gjasë, është bërë njëri prej tyre. E nisi si anti-sistem, por sot duket më sistemiku se të gjithë. E nisi si përfaqësues i qytetarëve, por sot nuk i përmend më ata. Merret me bashkinë e Tiranës, me buxhete, me tabela, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur të ishte votuar si kryeministër. Në të vërtetë, ai nuk mori as legjitimitetin për të qenë zë opozitar. Kjo përbën një përçudnim të konceptit bazë të përfaqësimit: kur qytetarët nuk të japin votën, ti nuk ke më zë në emër të tyre. Vetëm arroganca mund të të lejojë të vazhdosh të flasësh në emër të njerëzve që të refuzuan.


Krahasimi me Dashamir Shehin është i pashmangshëm. Ai, ndryshe nga Shabani, nuk shiti iluzione as nuk e trajtoi publikun si të paditur. Ai e kuptoi sinjalin, e lexoi humbjen dhe reagoi si burrë: u tërhoq. Edhe nëse është një figurë e vjetër politike, në këtë rast tregoi më shumë moral politik se shumë nga ata që pretendojnë të jenë “e ardhmja”. Ose përshembull Lulzim Basha, lideri i humbjeve seriale, zgjodhi edhe këtë herë rrugën më të padenjë: eterizimin. Ai është zhdukur pa zë, pa fytyrë, pa dinjitet. Një heshtje që nuk është reflektim, por ikje nga përgjegjësia, nga publiku, nga vetja. Një heshtje që flet më shumë se çdo fjalë për shterpësinë politike të një figure që ka humbur edhe rolin e opozitarit.


Ajo që ndodhi me Shabanin nuk është thjesht një zhgënjim personal. Është një sinjal për të gjithë ata që besuan se Shqipëria mund të prodhonte një politikë me dinjitet, me kufij të qartë mes suksesit dhe dështimit, me kulturë përgjegjësie. Nëse edhe figura si ai bien në tundimin për të mos ikur, për të relativizuar humbjen, për ta zëvendësuar votën me pozën, atëherë ndryshimi nuk ka më përfaqësues. Sepse ndryshimi pa karakter është veçse një tjetër maskë e së vjetrës. Dhe kështu, rrethi mbyllet. Sërish kemi liderë që nuk ikin kurrë, që nuk pranojnë kurrë humbjen, që nuk heshtin për reflektim edhe kur askush nuk i dëgjon më, vijojnë të flasin pallavrat e kolltukut.