Ka ditë që sistemi i tatimeve në platformën qendrore e-Albania nuk funksionon, por autoritetet përgjegjëse si AKSHI dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete. Përdoruesit ankohen për gabime të vazhdueshme teknike, pamundësi për të përfunduar veprime të thjeshta dhe mungesë të plotë informacioni apo alternativash. Për qytetarët dhe profesionistët, veçanërisht në periudha të ngarkuara si dorëzimi i bilanceve në QKB, kjo ka kthyer sistemin digjital në një burim stresi dhe bllokimi të aktiviteteve të përditshme.
Një përdorues shkruan për situatën absurde:
“Për çdo veprim, duhet të provojmë pesë herë radhazi. Shfaqet vazhdimisht error dhe shpesh s’mund të zgjidhim asgjë. Nuk është normale që kjo situatë të vazhdojë përgjithmonë.”
Denoncimet janë të shumta dhe vijnë nga profesionistë të fushës, si ekonomistë, të cilët shprehen se po pengohen seriozisht në punën e tyre dhe po rrezikojnë penalitete ligjore për shkak të mosfunksionimit të sistemit. Një ekonomist i drejtohet platformës JOQ me një mesazh të ashpër:
“Jam ekonomist dhe në këtë periudhë është dorëzimi i bilanceve në QKB. AKSHI nuk funksionon prej ditësh. Puna jonë është bllokuar dhe rrezikojmë gjoba administrative. Disa nga personat që mbajnë pozita kyçe në AKSHI nuk kanë asnjë kompetencë profesionale – janë aty për grumbullim votash, jo njohurish.”
Në qendër të kritikave është edhe drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ministri i linjës Petrit Malaj dhe drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj – të cilët, sipas qytetarëve, nuk po ofrojnë as reagim e as zgjidhje. Mungesa e transparencës dhe neglizhenca përballë problemeve teknike e ka kthyer platformën digjitale në një instrument bllokues, që jo vetëm nuk lehtëson jetën e qytetarëve, por i vë ata përballë rrezikut ligjor dhe frustrimit të vazhdueshëm.
Qytetarët kërkojnë urgjentisht një ndërhyrje serioze, rindërtim të besimit dhe riorganizim të strukturave teknike, përndryshe – siç shprehen vetë ata – “nuk mund të pretendojmë integrim europian, me një sistem publik që bie çdo javë nga lodhja.”







