FLASH :

Telefonata e fundit: Si Papa Françesku ngushëllonte çdo natë të krishterët në Gaza

Për komunitetin e vogël katolik në qytetin e Gazës, ora 20:00 çdo mbrëmje nuk ishte vetëm një moment i zakonshëm. Ishte ora kur telefoni binte dhe nga ana tjetër të linjës dëgjohej një zë i njohur, ngushëllues: Papa Françesku.

Që nga shpërthimi i luftës në tetor 2023, Papa i ndjerë telefononte çdo natë Famullinë e Familjes së Shenjtë, kishën e vetme katolike në Gaza. Edhe në ditët më të rënda të bombardimeve, telefonatat ishin të përditshme – ndonjëherë edhe disa herë brenda ditës.

“Shenjtëria e Tij na telefononte me përzemërsi. Fëmijët thërrisnin ‘Rroftë Papa!’ dhe kërkonin bekimin e tij,” tregon meshtari Gabriel Romanelli, rektori i kishës, për CBC News. “Ishte një shprehje e jashtëzakonshme dashurie. Një shenjë që nuk ishim vetëm.”

Por të hënën mbrëma, më 21 prill, për herë të parë pas më shumë se një viti, telefoni nuk ra. Papa Françesku kishte ndërruar jetë një ditë më parë, në moshën 88-vjeçare.


Dashuri në kohë lufte

Papa nuk i shprehte vetëm publikisht thirrjet për paqe dhe armëpushim në Gaza. Ai e bënte këtë çdo natë, privatisht, përmes një linje direkte me Romanellin dhe ndihmësin e tij, Atë Youssef Assaad.

Të dy janë argjentinas me origjinë, ndaj flisnin në spanjisht. Papa interesohhej për ushqimin, për shëndetin e banorëve të kishës dhe për gjendjen shpirtërore të tyre. Në ditët më të vështira të luftës, telefonatat shtoheshin – tri, katër, madje edhe pesë herë në ditë.


“Shukran” – telefonata e fundit

Telefonata e fundit nga Papa Françesku erdhi të shtunën, dy ditë para vdekjes. Ai foli edhe disa fjalë në arabisht, falënderoi priftërinjtë për shërbimin e tyre dhe për lutjet e tyre:
“Faleminderit – shukran – për shërbimin tuaj, për lutjet tuaja.”

Romanelli kujton me mall se si njerëzit ndiheshin të braktisur në Gaza, por zëri i Papës i jepte komunitetit shpresë – një shpresë që tani jeton përmes kujtimit.


Një papë i paqes

Gjatë mandatit të tij, Papa Françesku u dallua për përkushtimin ndaj dialogut ndërfetar dhe pajtimit. Në mesazhin e fundit të Pashkës, vetëm një ditë para vdekjes, ai kërkoi sërish një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve izraelite dhe ndihmë humanitare për palestinezët.

Në një botim të nëntorit 2024, Papa ngriti pyetje publike nëse ofensiva tokësore izraelite në Gaza mund të konsiderohej gjenocid. Ai ishte një nga të paktët liderë botërorë që takoi personalisht familjarët e pengjeve izraelite dhe palestinezët me të afërm të vrarë.


“Tani mund ta thërrasim ne”

Të hënën në mbrëmje, Romanelli u ul vetëm në zyrën e tij dhe heshtja e orës 20:00 ishte më e fortë se çdo bombardim.

“Jemi të bindur që tani është në parajsë,” tha ai me zë të qetë.
“Tani, mund të jemi ne që e thërrasim Atë, në çdo moment.”


Papa Françesku nuk ndërtoi vetëm ura midis feve, por edhe ura zëri mes Vatikanit dhe një kishe të rrethuar në Gaza – një simbol i pastër i dashurisë në mes të errësirës së luftës.