Agron Shehaj, lideri i “Partia Mundësia”, ka publikuar së fundmi një video në rrjetin e tij social Facebook, ku është ndalur tek shpenzimet e administratës publike dhe konkretisht te Radio Televizioni Shqiptar (RTSH). Ai ka folur me transparencë dhe shifra konkrete dhe ka sjellë në vëmendje një problem që prek xhepat e qytetarëve: keqmenaxhimin parave publike.
“RTSH i kushton shqiptarëve rreth 30 milionë euro në vit dhe ka rreth 1000 të punësuar”, thekson Shehaj, ndërsa vë në kontrast këtë realitet me një media private të njohur në vend. “Televizioni Klan funksionon me vetëm 300 punonjës”, shprehet ai.
Sipas tij, RTSH mund të funksionojë shumë mirë edhe me një buxhet prej vetëm 5 milionë eurosh në vit.
“Kështu do të kurseheshin 25 milionë euro që mund të përdoreshin për të ulur taksat dhe për t’u kthyer drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve”, thotë Shehaj.
Në vizionin e tij për një shtet më të përgjegjshëm dhe më pranë qytetarit, Shehaj thekson se një nga qëllimet kryesore të partisë së tij është zvogëlimi i administratës publike dhe përdorimi me kujdes i çdo qindarke nga buxheti i shtetit.
“Ne kemi një buxhet prej 8.2 miliardë eurosh. Po të kursejmë 1 miliard euro, do të mund t’i rikthejmë ato para qytetarëve përmes uljes së taksave”, u shpreh ai, duke sjellë në fokus nevojën për një qeverisje më të ndershme.
Ky qëndrim i Shehajt tregon qartë përkushtimin e tij ndaj interesave të qytetarëve dhe dëshirën për një administratë më të përgjegjshme dhe më pak të kushtueshme për taksapaguesit shqiptarë.







