FLASH :

Ndërhyrja e paprecedentë në tregun e lirë | Çmendet Denar Biba, u tregon bankave se ku duhet të sigurohen

Sikurse ka publikuar portali Zoom.al, Autoriteti i Konkurrencës është përfshirë sot në një skandal të paprecedentë, duke marrë një vendim që vë në diskutim seriozisht rolin dhe integritetin e këtij institucioni. Ky vendim ka hapur një debat të gjerë mbi mënyrën sesi ky Autoritet po ndërhyn në treg, duke ngjallur dyshime të forta për abuzim me detyrën dhe keqinterpretim të qëllimshëm të ligjit.

Me vendimin për të hapur një hetim të thelluar ndaj të gjitha bankave të nivelit të dytë, në lidhje me sigurimin e jetës për kreditë, Autoriteti i drejtuar nga Denar Biba, ka vendosur të ndërhyjë në një marrëdhënie kontraktuale që mesa duket nuk e kupton, ose në rastin më të keq, bën sikur nuk e kupoton. Dhe kjo është më keq se një vendim i gabuar, pasi është një abuzim i pastër me detyrën, sepse minon thelbin e logjikës financiare mbi të cilën ndërtohet vetë sistemi bankar dhe ngre dyshime të forta për përdorimin e një institucioni për vendosje gjobash. 

Le të jemi më të qartë. I siguruari në këtë marrëdhënie që po heton Autoriteti i Konkurrencës nuk është klienti, nuk ështëqytetari, por vetë banka. Është banka ajo që mbrohet nga rreziku i humbjes së një kredie në rast vdekjeje të huamarrësitapo shkaqe të tjera. Dhe kur një institucion financiar zgjedh të sigurojë riskun e vet, është ky institucion dhe vetëm ky ai që zgjedh se me cilin sigurues do ta lidhë marrëveshjen. Pikë! Nuk ka asnjë interpretim tjetër. 

Kjo është një marrëdhënie që i takon vetëm bankës në këtë rast, që ta zgjedhë vetë se ku dëshiron të sigurohet, dhe askujt tjetër. Është njësoj sikur të hetosh qytetarët përse shkojnë të blejnë produkte në X supermarket. Përgjigjja është e thjeshtë: sepse ashtu u intereson dhe nuk ka asnjë ligj e logjikë që i pengon. 

Çfarë po na thotë Autoriteti i Konkurrencës me njoftimin “bombastik” që publikoi sot? Na thotë që është klienti ai që duhet të zgjedhë kompaninë e sigurimit, edhe pse klienti vetë nuk është palë direkte në sigurimin që blen banka. Kjo nuk është as mbrojtje e konkurrencës, as kujdes ndaj konsumatorit. Është është një farsë e pastër.

Në një kohë kur Shqipëria ka hyrë në SEPA dhe sistemi bankar po bëhet pjesë e standardeve evropiane të pagesave, një veprim i tillë vë në rrezik reputacionin e sektorit bankar dhe prodhon pasiguri në mënyrë artificiale për të gjithë tregun. Kush do të investonte në një vend ku institucionet ndërhyjnë në mënyrë arbitrare dhe të pakuptimtë në marrëdhënie kontraktuale që janë standarde ndërkombëtare?

Pas kësaj gafe të madhe, qëndrimi i kreut të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba në detyrë është një peshë e madhe për këtë institucion. Dorëheqja e tij është më e pakta që ai mund të bëjë për të shpëtuar paksa nga kredibiliteti që i ka mbetur këtij institucioni si një organ që paguhet me taksat e qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur interesat e tyre. 

Sepse nuk mund të bësh sikur mbron konsumatorin duke keqinterpretuar rolet në marrëdhënie kontraktuale dhe duke vënë në shënjestër një sektor kyç të ekonomisë, si bankat, nga padija apo keqdashja për qëllime të dyshimta. Kur “konkurrenca” përdoret për të dëmtuar bisnezin, kjo nuk është mbrojtje e tregut, por një kërcënim i hapur ndaj tij.

Teksa Shqipëria po afrohet me BE, është koha që edhe institucionet si Autoriteti i Konkurrencës të ecin me këmbët e logjikës dhe ligjit. Përndryshe, viktima e radhës nuk do të jenë më sipërmarrjet, por konsumatori, siç ndodh në rastin e karteleve të çmimit të naftës apo me bizneset monopol, që Autoriteti i Denar Bibës bën sikur nuk i sheh. Pas këtij skandali bankat duhet ta kërkojnë me forcë largimin e tij, pasi ai e ka kaluar vijën e kuqe që ndan profesionalizmin nga injoranca, duke e goditur rëndë besueshmërinë e sistemit bankar në vend.