Problemet me Kadastrat vazhdojnë të mbeten një gangrenë e shoqërisë shqiptare. Nëse ky kancer nuk shqitet një herë e mirë nga trupi i aparatit shtetëror, ai do ta përhapë me shpejtësi korrupsionin në mënyrë endemike, nga qendra, drejt periferisë.
Rasti i radhës është ai që vjen nga Saranda me banorët e Borshit.
Pas protestës së një dite më parë në fshatin “Qazim Pali”, njësia administrative Borsh, banorët kanë vijuar me të njëjtën kërkesë edhe para zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Sarandë. Ata kërkojnë pajisjen me certifikatat e pronësisë për 60 hektarë tokë të përfituar në bazë të ligjit 7501, një proces që është zvarritur për dekada. Nga kjo sipërfaqe, rreth 7 hektarë janë objekt pretendimi nga komuniteti mysliman, duke komplikuar më tej situatën.
Banorët protestues shprehën indinjatën e tyre për vonesat e gjata dhe pengesat burokratike që po i lënë ata pa dokumentacionin për tokën e tyre. Ata hodhën akuza për korrupsion dhe zvarritje institucionale, duke theksuar se çështja ka mbetur pezull për afro 30 vjet pa asnjë zgjidhje konkrete.
Një qytetar thotë:
“Në atë pjesë toke ku jemi, ka qenë moçalishte dhe e kanë hapur njerëzit me krahë. Në tetor 2023, na vjen një urdhër kufizimi nga hipoteka, se kemi mbivendosje me Komitetin Musliman, dhe që atëherë e deri sot jemi në proces gjyqësor”
Pasi kaluan disa orë në pritje para zyrës së ASHK-së në Sarandë, një delegacion prej tre banorësh u prit nga drejtori i institucionit. Sipas tij, problemi nuk qëndron tek zyra lokale e kadastrës, por tek një mbivendosje e pronës, e konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), mes pretendimeve të banorëve dhe komunitetit mysliman.
Në përgjigje, banorët theksuan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe paralajmëruan se, nëse situata nuk gjen zgjidhje, do të ndjekin rrugën ligjore për të realizuar të drejtën e tyre mbi pronën.