Rey Manaj është futbollisti më i ri i Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, me kontratë dy vjeçare. 28-vjeçari ndërron klubin e 11 në karrierë.
Rey Manaj ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, teksa është zyrtarizuar si përforcimi më i ri i Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sulmuesi i Kombëtares ka firmosur një kontratë dy vjeçare me klubin arab, duke mbyllur kështu aventurën e tij në futbollin turk me Sivasspor
Gjatë dy sezoneve në Superligën turke, Manaj ishte një nga pikat më të forta të skuadrës së Sivassporit, ku realizoi 34 gola dhe dhuroi 11 asiste, duke lënë gjurmë të thella te tifozët dhe klubi. Në skuadrën e re, Manaj nuk do të jetë i vetmi shqiptar, pasi do të gjejë edhe mesfushorin Feta Fetai, i cili është i huazuar nga Lokomotiva e Zagrebit.
Përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale, sulmuesi 28-vjeçar ka falenderuar tifozët e Sivassporit për mbështetjen e vazhdueshme, duke i cilësuar ata si familje. Manaj ka edhe disa kritika.
“Tifozë të mi të dashur të Sivassporit, ju tani jeni më shumë sesa thjesht tifozë, jeni familja ime dhe gjithmonë do të jeni. Kemi ndarë momente vërtet të veçanta, të cilat askush nuk mund të na i heqë, askush nuk mund ta njollosë atë që kemi arritur. Gjithmonë kam preferuar të mos flas shumë, madje as në momentet më të vështira, për hir tuaj dhe për dashurinë tuaj të pakushtëzuar.
Kam gëlltitur shumë gjëra që nuk u bënë siç duhet ndaj meje, por kjo nuk është koha. Thjesht dijeni se ju kam qenë besnik nga dita e parë deri në të fundit dhe gjithmonë do të jem. 34 gola dhe 11 asiste në dy sezone, duke u gëzuar së bashku, duke ju parë të lumtur është gjëja më e mirë që më ka ndodhur. Faleminderit për gjithçka, nuk do t’ju harroj kurrë”, shkruan Manaj