FLASH :

Zyrtare/ E ardhmja e Kombëtares, Kevin Dodaj firmos te CSKA e Sofies! Vllaznia: Shkodra do jetë gjithmonë shtëpia jote

Vllaznia ka zyrtarizuar kalimin e Kevin Dodaj te CSKA e Sofies në futbollin bullgar. Sulmuesi 19-vjeçar është produkt i ‘fidanishtes’ shkodrane dhe spikati sezonin e shkuar ku luajti 44 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe shënoi tetë gola.

Vllaznia u bind për shumën e 450 mijë eurove, teksa mbajti në pronësi 10 përqind të kartonit, në rast se CSKA vendos ta shesë në të ardhmen. Kështu, sulmuesi i Kombëtares U-21 kalon nga klubi më i vjetër shqiptar në një klub me traditë në Bullgari, ku pritet të tregojë ciësitë e tij. Dodaj ka firmosur për katër sezone me të drejtë rinovimi.

Hapi i duhur në karrierë për 19-vjeçarin që pret edhe një ftesë nga Sylvinho në Kombëtaren A.

Ndërkohë në Shkodër janë krenarë për këtë kalim, me Vllazninë që thotë se ai do jetë gjithmonë djali i shtëpisë.

“Faleminderit Kevin! KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur një marrëveshje me klubin bullgar CSKA Sofja për transferimin e futbollistit Kevin Dodaj. Një djalë i rritur në familjen kuqeblu, e që vendosi gjithmonë zemrën në fushën e lojës. Jemi krenarë për rrugëtimin tënd dhe të falënderojmë për çdo moment me këtë fanellë. Suksese në sfidën tënde të re, Kevin! Shkodra do të jetë gjithmonë shtëpia jote!”, shkruan Vllaznia.