Komisioni Evropian ka mirëpritur vendimin e Këshillit Evropian për të miratuar anëtarësimin e Bullgarisë në zonën euro, duke bërë që nga 1 janari 2026 ky shtet të bëhet anëtari i 21-të i Eurozonës. Ky zhvillim historik vjen pas përmbushjes së kritereve të konvergjencës nga Sofja dhe sinjalizon një kapitull të ri ekonomik për vendin.
Në vendimin e publikuar të martën, Këshilli përcaktoi edhe kursin zyrtar të këmbimit, që do të jetë 1 euro = 1.95583 leva, duke hapur rrugën për një tranzicion të qetë monetar.
“Ky është një sukses i vërtetë. Euro do të forcojë ekonominë bullgare dhe do të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe bizneset,” u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Qeveria bullgare ka tani më pak se gjashtë muaj kohë për të përfunduar përgatitjet teknike dhe për të siguruar që procesi i kalimit nga leva në euro të realizohet pa pengesa, në sektorin bankar, tregti dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.