Një zjarr i rënë aksidentalisht në Ishull-Lezhë ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore në pronësi të një 88-vjeçari, duke shkatërruar një parcelë me grurë dhe rreth 200 rrënjë ullinj.
Ngjarja ndodhi më 28 qershor, por u bë publike vetëm sot. Policia ka kryer veprimet paraprake dhe ka referuar materialet në Prokurori për hetime të mëtejshme, në përpjekje për të zbardhur shkaqet e zjarrit.
Sipas të dhënave zyrtare, flakët përfshinë tokën në pronësi të shtetasit O.Z., banues në lagjen Ishull-Lezhë. “Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar aksidentalisht për shkak të temperaturave të larta”, njoftoi policia.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.







