FLASH :

Zjarr masiv në aksin Sarandë–Muzinë

SARANDË – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën pranë aksit Sarandë–Muzinë, duke kaluar rrugën dhe duke avancuar me shpejtësi drejt Parkut Natyror të Syrit të Kaltër. Flakët kanë mbërritur deri pranë parkingut të parkut, ndërsa përmasat e tyre janë përshkruar si “të frikshme” nga vizitorët në vendngjarje. Për arsye sigurie, mbi 500 turistë janë evakuuar, ndërsa qarkullimi në këtë aks rrugor është ndërprerë deri në një njoftim të dytë.

Në terren janë angazhuar dy helikopterë, 20 forca të ushtrisë dhe 4 automjete zjarrfikëse, megjithatë ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit malor dhe temperaturave të larta që po favorizojnë përhapjen e flakëve. Autoritetet theksojnë se, për momentin, zjarri nuk ka hyrë ende në zonën e mbrojtur të parkut, por rreziku mbetet i lartë.

Situata është pjesë e një vale zjarresh që ka përfshirë edhe zona të tjera të jugut të vendit, përfshirë fshatra të bashkisë Finiq si Velahovo, Livinë, Ardhasovo, Bistricë dhe Krongj, duke dëmtuar pasuri natyrore, ullishte dhe banesa. Banorët dhe turistët i bëjnë thirrje autoriteteve për ndërhyrje të menjëhershme ajrore për të shmangur një katastrofë mjedisore dhe turistike.