Një zjarr i madh ka shpërthyer pasditen e së mërkurës në një zonë pyjore dhe bujqësore në Achlia, në prefekturën e Lassithit në Kretë, duke u përhapur me shpejtësi të frikshme për shkak të erërave të forta. Autoritetet greke kanë dhënë alarmin, duke urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të disa zonave përreth.
Rreth orës 20:30, një mesazh emergjent nga sistemi 112 u dërgua për banorët e Agia Fotia, Achlia, Galini, Ferma dhe Koutsounari, duke i udhëzuar të lëvizin drejt qytetit të Ierapetrës. Disa pushues dhe banorë janë evakuuar më herët nga plazhet me ndihmën e anijeve.
Sipas mediave greke ERT dhe Creta24, situata është dramatike dhe zjarri ka përfshirë edhe disa banesa. “Do të kemi një natë të vështirë,” deklaroi guvernatori rajonal i Kretës, Stavros Arnaoutakis, i cili konfirmoi se përforcime nga Athina janë rrugës për të ndihmuar në përballimin e flakëve.
Në vendngjarje janë vendosur 145 zjarrfikës, 25 automjete dhe 8 ekipe speciale alpinistësh, por përpjekjet po vështirësohen për shkak të ndryshimeve të shpeshta të drejtimit të erës.
Ndërkohë, shërbimi i urgjencës EKAB është në gatishmëri të plotë me 8 ambulanca në zonë. Deri tani, janë transportuar në spitalin e Ierapetrës tre qytetarë me probleme respiratore, dy me lëndime të lehta dhe një tjetër me vështirësi në lëvizje.
Zëvendësdrejtori rajonal i mbrojtjes civile, Giorgos Tsapakos, paralajmëroi se “beteja me flakët do të zgjasë gjithë natën”, ndërsa prioritet mbetet shpëtimi i jetëve dhe minimizimi i dëmeve materiale, përfshirë edhe kujdesin ndaj turistëve të prekur nga emergjenca.
Autoritetet lokale kanë aktivizuar të gjithë mekanizmin e emergjencës, ndërsa pritet që gjatë natës të mbërrijnë trupa dhe mjete shtesë për t’i bërë ballë flakëve.







