FLASH :

Zjarri masiv në zonën e Delvinës, mbi 3 hektarë pyll i djegur / Rrezik për zonat e banuara

Një zjarr masiv ka përfshirë pasditen e sotme pyllin me pisha midis fshatrave Gjinoqarë dhe Drenie, duke shkaktuar një situatë alarmante për banorët e zonës dhe autoritetet lokale.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme, ndërsa ndërhyrja nga toka është bërë e pamundur për shkak të terenit të thepisur dhe dendësisë së pyllit. Deri më tani, sipas të dhënave paraprake, janë djegur mbi 3 hektarë pyll me pisha.

Kryeplaku i fshatit Gjinoqarë, Nuri Gllava, ka deklaruar për mediat se situata pritet të përkeqësohet gjatë natës, pasi zjarri po afrohet drejt zonave të banuara. Ai ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga ajri, duke theksuar se mjetet aktuale zjarrfikëse nuk mund të depërtojnë në vatrën e zjarrit.

Sipas banorëve të zonës, zjarri dyshohet se është i qëllimshëm, pasi ka shpërthyer në mes të pyllit, larg çdo rruge apo ndërtese. Ata kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe ndëshkim për përgjegjësit, nëse konfirmohet zjarrvënie.

Autoritetet lokale dhe shërbimet zjarrfikëse po monitorojnë nga afër situatën, por rreziku që flakët të përhapen drejt fshatrave përreth mbetet shumë i lartë.