Zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë po përballen me disa vatra zjarri, por situata aktualisht është nën kontroll.
Sipas raportimeve më të fundit:
Një vatër aktive ndodhet në fshatin Shënvasil,
Tre vatra zjarri janë identifikuar në zonën e Lukovës,
Një tjetër vatër është në Sasaj.
Sipas administratorit të njësisë administrative të Lukovës, Adi Boçi, nuk ka rrezik të menjëhershëm për banorët apo përhapje të pakontrolluar të flakëve, por vatrat po mbahen në monitorim të vazhdueshëm. Ai gjithashtu njoftoi se autoritetet janë në pritje të ndërhyrjes me helikopter për të ndihmuar në izolimin e zjarreve.
Gjatë gjithë natës, në operacionet për shuarjen e flakëve kanë qenë të angazhuara shërbimet zjarrfikëse të Himarës dhe Sarandës, si edhe forcat e ushtrisë, të cilat kanë dhënë mbështetje në terren.
Autoritetet vijojnë të apelojnë për kujdes të shtuar nga banorët dhe turistët, për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarrvënie të qëllimshme apo të pavullnetshme.