Një vatër zjarri ka rënë pasditen e sotme në pjesën veriore të lagjes Granicë në Gjirokastër, duke rrezikuar seriozisht zonën e banuar pranë përroit. Flakët janë përhapur me shpejtësi në bimësinë e thatë, pasi persona ende të paidentifikuar dyshohet se i kanë vënë qëllimisht zjarrin barërave të zonës.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke arritur të neutralizojnë flakët dhe të shmangin përhapjen e tyre drejt banesave. Aktualisht, situata është nën kontroll, por po monitorohet nga afër për çdo mundësi riaktivizimi të zjarrit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët e zjarrvënies së dyshuar.
