FLASH :

Zjarr në “Pazarin e Ri” në Tiranë, përfshihet një banesë – Dëme të mëdha materiale, nuk ka të lënduar

Një zjarr ka përfshirë një banesë në zonën e “Pazarit të Ri” në Tiranë, në orët e pasdites së sotme, duke shkaktuar panik mes banorëve të lagjes.

Flakët janë vënë re rreth orës 16:00 dhe menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të shërbimit zjarrfikës, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes në banesat përreth.

Sipas të dhënave paraprake, banesa e përfshirë nga flakët i përket shtetases Nermin Stërmasi. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që autoritetet po punojnë për të zbardhur dinamikën dhe rrethanat e ngjarjes.

Ngjarja vjen në një periudhë kur në kryeqytet janë rritur ndjeshëm temperaturat dhe rreziku nga zjarret mbetet i lartë.