Një pallat në zonën e Radhimës është përfshirë nga flakët këtë pasdite, pas një shkëndije elektrike që ka ndodhur në pjesën e brendshme të ashensorit.
Zjarri është shfaqur në hapësirat e hyrjeve të pallatit, duke shkaktuar tym të dendur dhe panik mes banorëve. Si pasojë, hyrjet dhe daljet e ndërtesës janë bllokuar për shkak të përhapjes së tymit dhe flakëve.
Ende nuk ka raportime për të lënduar, por situata mbetet e tensionuar për shkak të prezencës së madhe të tymit.
“Menjëherë forcat zjarrfikëse u nisën me dy automjete se zjarri ishte brenda pallatit në panelin e energjisë elektrike, që vështirësoi jashtë mase ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës por rrezikoi drejtpërdrejt edhe banorët se gjithë ambienti u mbush me tym. në momentin rrezikohej komplet se zjarri ishte te paneli elektrik në katin e parë të pallatit. Rrezikoheshin banorët. Bëmë të mundur izolimin e zjarrit”, tha shefi i zjarrfikëses Luan Kapaj.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e plota të zjarrit, ndërsa banorët janë këshilluar të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.
“Rreth orës 14:05, dyshohet se ka rënë zjarr në një pallat në Radhimë. Menjëherë, shërbimet e zjarrfikëses dhe të Policisë kanë ndërhyrë për evakuimin e banorëve, dhe deri tani raportohen vetëm dëme materiale”, njofton policia.
