FLASH :

Zjarr misterioz në vilën 2 milionëshe të Kryeministrit britanik – hetimet nisin mes dyshimesh

Një zjarr ka përfshirë shtëpinë me vlerë 2 milionë paund të Kryeministrit britanik Sir Keir Starmer në veri-perëndim të Londrës në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve dhe bllokimin e të gjithë rrugës nga forcat e rendit.

Zjarri shpërtheu rreth orës 01:11 të mëngjesit, në një pronë që besohet se është në pronësi të kryeministrit, por që aktualisht është dhënë me qira. Brenda pak minutash, zjarrfikësit nga Stacioni i Zjarrfikësve në Kentish Town arritën të vendin e ngjarjes dhe e vunë zjarrin nën kontroll deri në orën 01:33.

Policia Metropolitane njoftoi se oficerët u thirrën në vendngjarje në orën 01:35, ndërsa deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar. “Dëmet janë shkaktuar në hyrjen e pronës, por fatmirësisht askush nuk ka mbetur i plagosur,” tha një zëdhënës i policisë. “Zjarri po hetohet dhe rruga mbetet e rrethuar ndërkohë që hetimet vazhdojnë.”

Policia i bën thirrje qytetarëve që kanë informacion të telefonojnë në 101 dhe të citojnë numrin CAD 441/12 May.

Ndërsa hetimet janë në vazhdim për shkakun e incidentit, mëngjesin e sotëm Kryeministri Starmer u shfaq në një konferencë për shtyp ku prezantoi planin e ri të qeverisë për të forcuar kontrollet ndaj emigracionit të paligjshëm, duke paralajmëruar se “Britania rrezikon të bëhet një ishull i të huajve”.