FLASH :

Zjarr masiv në pallatin e luksit në Londër: 100 zjarrfikës në operacion shpëtimi, apartamentet kushtojnë mbi 1 milion paund

Një zjarr i fuqishëm përfshiu mbrëmjen e së dielës një kompleks luksoz banimi në zonën qendrore të Londrës, duke shkaktuar alarm të madh dhe një operacion të gjerë emergjence. Rreth 100 zjarrfikës dhe 15 makina zjarrfikëse u angazhuan për të përballuar flakët në kompleksin “Goodman’s Fields” në Leman Street, në Aldgate, vetëm pak minuta para orës 18:00.

Sipas Shërbimit të Zjarrfikësve të Londrës, flakët përfshinë dy apartamente në katin e gjashtë dhe të shtatë të godinës. Pamjet dramatike të postuara në rrjete sociale tregonin tym të zi të dendur dhe zjarr që përhapej nga një apartament në tjetrin. Zjarrfikësit arritën të shpëtojnë 11 persona, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.

Zona, e njohur për apartamentet që shiten me çmime që kapin mbi 1.1 milion paund, u mbush me forca të emergjencës, ndërsa publiku u nxit të shmangte qarkullimin në rrugët përreth për të mos penguar ndërhyrjen. Komandantja e zonës, Lucy Macleod, tha se ekipet vepruan me shpejtësi për të vënë zjarrin nën kontroll, por mbeten në terren për të shuar plotësisht vatrat e rrezikshme. Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, ndërsa po vijojnë hetimet.

Ambulanca e Londrës konfirmoi se kishte dërguar ekipe të specializuara për situata të rrezikshme, por ato u tërhoqën pasi u konstatua se nuk kishte persona për trajtim mjekësor. Megjithatë, për banorët e godinës luksoze kjo mbetet një natë tronditëse, që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi.