Një incident shqetësues është shënuar sot në qytetin e Beratit, ku persona ende të paidentifikuar kanë ndezur një zjarr të qëllimshëm pranë Qendrës Rezidenciale “Lira”, ku strehohen persona me aftësi ndryshe. Autorët kanë djegur disa goma në afërsi të institucionit, duke krijuar flakë të fuqishme dhe re të dendura tymi që kanë përfshirë gjithë zonën.
Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse, zjarri u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme materiale apo rrezik të drejtpërdrejtë për banorët e qendrës. Sipas burimeve zyrtare, edukatorja e institucionit ka dhënë alarmin menjëherë pas shpërthimit të flakëve. Pavarësisht shuarjes së zjarrit, ngjarja ka shkaktuar një dëm mjedisor të konsiderueshëm dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë e banorëve të pambrojtur. Policia e Beratit njofton se ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të këtij veprimi të rëndë.