FLASH :

Zjarr i madh në Lezhë, digjet pjesërisht lokali i dasmave

Një zjarr i përmasave të mëdha ra mesditën e kësaj të marte në anë të superstradës Lezhë-Milot, pranë fshatit Markatomaj. Flakët, të cilat nisën fillimisht në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, u përhapën me shpejtësi dhe dolën jashtë kontrollit. Për shkak të erës dhe temperaturave të larta, zjarri iu afrua zonës së banuar, duke përfshirë edhe një prej restoranteve të njohur të dasmave “Orkidea Palace”.

Lokali pësoi dëme të konsiderueshme, ndërsa pamjet tregojnë se pjesë të fasadës dhe ambiente të tjera janë përfshirë nga flakët. Për shuarjen e flakëve u angazhuan forca të shumta zjarrfikëse nga Lezha dhe njësitë përreth, të ndihmuara edhe nga strukturat e bashkisë. Operacioni për izolimin dhe fikjen e zjarrit ka zgjatur rreth dy orë, duke shmangur përhapjen e flakëve drejt banesave të tjera apo bizneseve pranë rrugës nacionale.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa strukturat përgjegjëse kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për pakujdesi, apo zjarrvënie të qëllimshme.