Nga Maksi Çami
Nga fillimi i kësaj fushate zgjedhore, një figurë mungon dukshëm në skenën publike në krahasim me 11 muajt e fundit: Endrit Shabani. Dikur promotor i zëshëm i denoncimeve kundër oligarkisë dhe marrëveshjeve të errëta të tranzicionit, ai sot është zhdukur nga skena e debatit politik, mitingjeve dhe promovimeve elektorale të Koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet!”. Pse?
Ndoshta sepse sondazhet e brendshme dhe publike i kanë dhënë një sinjal të ftohtë: ai nuk pëlqehet gjerësisht. Për retorikën e tij konspirative dhe për tendencën e përhershme për të demonizuar sektorin privat, Shabani është perceptuar si i largët nga zgjedhësit pragmatistë. Dhe ky është një realitet që duket se është përballuar me qetësi brenda koalicionit: në vend të tij, është promovuar në vijën e parë një profil krejt tjetër, Pano Soko.
Soko, i njohur fillimisht si protestues dhe aktivist denoncues, është shndërruar tashmë në një figurë që artikulon alternativa me laps e me letër. Ai ofron analiza të ftohta ekonomike, shpesh me një qasje të majtë, por të strukturuar. Në krah të Adriatik Lapajt, krijon një kontrast interesant: njëri është juristi i revoltuar që kërkon drejtësi nga rrënjët, tjetri është ekonomisti që paraqet llogari të reja për shtetin. Në këtë dyshe, votuesi sheh një alternativë më të qëndrueshme sesa retorikën hiperbolike të Shabanit.
Nëse Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet!” arrin të marrë më shumë se një mandat në Tiranë, deputet do të bëhet padyshim Adriatik Lapaj. Nëse sigurohet një i dytë, gjasat janë që të jetë Pano Soko. Por edhe në rastin më optimist, nëse fitohen tre mandate, për shkak të kuotës gjinore 1/3, mandati i tretë nuk do t’i takojë Endrit Shabanit. Ai do t’i kalojë një prej kandidateve femra të listës si përshembull atom ë aktivet në fushatë: Dorina Ndrejaj apo Edona Haklaj.
Kështu, Shabani mbetet pa një vend në Kuvend dhe, më rëndësishmja, pa një rol të qartë në të ardhmen e afërt politike të koalicionit. E ardhmja e tij tani duket se varet nga një zgjedhje e vështirë: të zbutë tonin dhe të heqë dorë nga narrativat me oligarkë duke bërë politikë në kurriz e në dëm tëbizneseve shqiptare, ose duke tentuar të rilidhet me një publik më të gjerë, prat ë bëhet edhe më shumë populist nga ç’është ose të pranojë që politika nuk është fusha e tij. Ndoshta roli më i natyrshëm për të është ai i opinionistit kritik në media, ku mund të artikulojë pa kufij retorikën e tij, pa pasur nevojë të fitojë vota.
Fushata që (s’)po zhvillohet nga Shabani, është më shumë se një garë për mandate është një pasqyrë për vetëvlerësimin e tij si lider. Dhe ndoshta, heshtja e Endrit Shabanit flet më shumë se çdo fjalim në podium.







