FLASH :

Zhduket statuja e Melania Trump në Slloveni

Autoritetet në Slloveni kanë nisur hetimet pas zhdukjes së një statuje prej bronzi të ish-zonjës së parë të SHBA, Melania Trump, e vendosur në vendlindjen e saj pranë qytetit Sevnica.

Sipas zëdhënëses së policisë Alenka Drenik Rangus, policia u informua për vjedhjen të martën dhe është duke punuar për të identifikuar përgjegjësit. Mediat vendase raportojnë se statuja është prerë në nivelin e kyçeve të këmbëve dhe më pas është larguar nga vendi.

Statuja në fjalë ishte një kopje prej bronzi në përmasa reale, e vendosur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump. Ajo zëvendësoi një statujë prej druri që ishte djegur më herët po atë vit. Statuja e parë, e punuar në mënyrë rustike nga një trung peme, paraqiste Melanian me një fustan blu të çelët, si ai që kishte veshur gjatë inaugurimit presidencial të vitit 2017.

Megjithatë, as statuja e bronztë nuk u prit mirë. Sipas Franja Kranjc, punonjës në një pastiçeri në Sevnica që shet ëmbëlsira me emrin e Melania Trump në shenjë mbështetjeje për të:

“Mendoj se askush nuk ishte vërtet krenar për këtë statujë, madje as vetë zonja e parë e SHBA-së. Prandaj, mendoj se është në rregull që është hequr.”

Statuja e bronztë nuk kishte ndonjë ngjashmëri të dukshme me Melania Trump dhe për shumë banorë ishte më shumë burim polemikash sesa krenarie. Deri tani, nuk është dhënë asnjë motiv zyrtar për zhdukjen apo nëse vjedhja ishte një akt vandalizmi apo proteste. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorët.