FLASH :

“Zgjodhi të mos e hapte parashutën”: Vdes skydiver-ja, dyshohet akt i qëllimshëm

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e skydiving në Britani, pasi një sportiste me përvojë humbi jetën në mënyrë të dyshuar si vetëvrasje nga një lartësi prej 10 mijë këmbësh, vetëm një ditë pasi ishte ndarë nga partneri i saj.

Jade Damarell, 32 vjeçe, nga Caerphilly, Uellsi i Jugut, vdiq më 27 prill pasi u hodh me parashutë në Shotton Colliery, County Durham. Pavarësisht se në fillim u mendua për një aksident tragjik, kompania SkyHigh Skydiving dhe policia lokale kanë konfirmuar se të gjitha të dhënat tregojnë se bëhej fjalë për një akt të qëllimshëm.

Damarell, e cila kishte kryer mbi 400 hedhje dhe më shumë se 80 vetëm këtë vit, kishte ndarë dhomën me partnerin e saj, Ben Goodfellow, 26 vjeç, gjithashtu një skydiver i apasionuar. Burime nga rrethi i afërt thonë se çifti ishte ndarë një natë para ngjarjes fatale.

“Ben e kishte mbyllur marrëdhënien me të të shtunën. Të nesërmen, ai shkoi në punë. Më pas ndodhi tragjedia,” – tha një mik i çiftit për mediat britanike.

Një letër lamtumire, sipas dëshmive të miqve, është gjetur nga policia dhe përmend ndarjen si faktor ndikues. Gjatë hetimit paraprak të mbajtur në gjykatën e Crook Coroner’s Court, u tha se nuk kishte asnjë arsye për të dyshuar dështim teknik të pajisjeve. Mjekësia ligjore konfirmoi si shkak vdekjen nga trauma të forta trupore.

Prindërit e viktimës, Liz dhe Andrew, dhanë një mesazh emocional lamtumire:

“Jade ishte një shpirt i ndritshëm, i lirë dhe plot pasion. Energjia, guximi dhe dashuria e saj do të jetojnë përherë tek ne dhe ata që e donin.”

Shoqja e saj, Danni Willis, e përshkroi si “një vajzë të bukur brenda dhe jashtë”, ndërsa SkyHigh Skydiving theksoi ndikimin që kjo ngjarje e dhimbshme ka pasur në të gjithë komunitetin.

“Ky lajm ka tronditur thellë çdo person që e njihte. Nëse ndiheni të mbingarkuar emocionalisht, mos ngurroni të kërkoni ndihmë. Ka shpresë edhe në momentet më të errëta.”

Gjykata ka caktuar një seancë të re për hetimin më 21 gusht.