Nga Maksi Çami
Më 11 maj 2025, shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e ardhshëm. Megjithatë, përtej flamujve partiakë dhe fushatave që po marrin vrull, një pyetje shumë më e thellë qëndron pezull në horizont: Sa shqiptarë do të votojnë realisht në këto zgjedhje?
Për vite me radhë, Shqipëria ka operuar me lista zgjedhore që e tejkalojnë dukshëm realitetin demografik të vendit. Në zgjedhjet e vitit 2021, për shembull, figuronin mbi 3.5 milionë votues të regjistruar, ndërkohë që pjesëmarrja në votim ishte rreth 46%, pra afërsisht 1.66 milionë votues.
Por situata ka ndryshuar ndjeshëm. Censusi i vitit 2023 solli një tronditje të heshtur: popullsia rezidente në Shqipëri është vetëm 2.4 deri në 2.5 milionë banorë. Kjo do të thotë se rreth 1 milion qytetarë të regjistruar si votues nuk jetojnë më në vend. Janë emigrantë, shpesh prej vitesh të tëra, që ndonëse figurojnë në lista, nuk kanë asnjë kontakt real me procesin zgjedhor.
Për herë të parë këtë vit, diaspora shqiptare ka pasur mundësinë të regjistrohet zyrtarisht për të votuar, dhe deri tani janë pranuar rreth 241,000 aplikime nga qytetarët jashtë vendit. Ky është një hap historik dhe pozitiv drejt përfshirjes më të gjerë të shqiptarëve në demokracinë e tyre, kudo që ndodhen.
Por le të përpiqemi të shohim më qartë se çfarë do të thotë kjo në terma realë.
Nëse marrim si bazë popullsinë reale prej 2.5 milionësh dhe i shtojmë diasporën e regjistruar për të votuar, arrijmë në një total të mundshëm prej 2,741,000 votuesish. Dhe nëse zbatojmë pjesëmarrjen mesatare historike të zgjedhjeve të fundit, rreth 46%, rezulton se rreth 1.26 milionë shqiptarë do të marrin pjesë në zgjedhjet e këtij viti.
Një shifër shumë më e ulët sesa ajo që do të shihni në deklaratat zyrtare.
Ky mos koordinim mes realitetit dhe listave ka pasoja serioze. Ai krijon hapësira për spekulime, për manipulim perceptimesh dhe për deformim të përfaqësimit. Shteti vazhdon të pretendojë se përfaqëson 3.6 milion votues, kur në fakt, vetëm pak më shumë se një milion janë aktivë në realitetin zgjedhor të vendit.
Nëse duam një demokraci funksionale, duhet të fillojmë nga një pastrim i sinqertë i listave zgjedhore dhe një analizë e ndershme e pjesëmarrjes. Çka nuk ndodhi fatkeqësisht as këto zgjedhje. Votuesit nuk janë numra në një regjistër të vjetër ata janë njerëz, të cilët ose votojnë, ose nuk votojnë, për arsye që shpesh lidhen me mungesë besimi, përfaqësimi apo edhe mungesë lidhjeje me jetën politike në atdhe.
Në maj, shqiptarët do të votojnë. Por nëse nuk kemi guximin të shohim se sa realisht po votojnë, çdo pretendim nga partitë se do të marrim kaq apo aq vota… është vetëm një mashtrim statistikor.