FLASH :

Zgjedhjet 2025 | Nga sherifi privat i Saliut, te Evropa pa ujë e Ramës, duke kaluar nga Shabani i Sorosit

Fushata zyrtare për zgjedhjet Parlamentare të 2025 nisi sot, në një klimë mosbesimi dhe skepticizmi të përgjithshëm nga ana e votuesve.
Në fakt, sipas të gjitha sondazheve, numri i të pavendosurve shkon deri në rrerth 20% të votuesve të anketuar, çka do të thotë, se janë një armatë e tërë përcaktuese, që mund të vendoste fatet e qeverisë së ardhshme.


Nëse do të kishin të gjithë të pavendosurit në krah, si Rama dhe Berisha, mund të krijonin një shumicë parlamentare dhe ndaj e gjithë beteja e tyre është për ta.
Edi Rama e ka ngritur lart stekën, duke premtuar integrim në BE brenda 2030, mundësisht pa të, sepse ai në rastin më të mirë do të jetë deri në 2029. Pra Rama premton Evropën, në një kohë kur po ri-premton edhe furnizimin 24 orë me ujë, premtim që se ka mbajtur ende që prej 2013, dhe po premton indirekt, se pas 16 vjetësh, nuk do të kemi më as të në pushtet.

Ai po i luan në mënyrë të ndërgjegjshme të dyja këto karta, sepse e di që ëndrra evropiane shet, dhe e di edhe se një Shqipëri në Evropë pa Ramën, mund të tërhiqte dhe të pavendosurit dhe diasporën.
Vetëm se për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, Rama nuk ka as zë as vendimmarrje. Ndërsa për largimin e tij nga politika pas 16 vitesh, nuk ka asnjë garanci, që edhe ky nuk do të ishte një premtim si ai i ujit.

Sherifi privat i Berishës


Ndërkohë Saliu në këto zgjedhje, ka zgjedhur si kalë beteje njërin nga arkitektët e fushatës triumfuse të Donald Trump në SHBA, Chris LaCivita.
Por Chris LaCivita, është thjesht një individ privat, që do të paguhet ndoshta në mënyrë të majme, fitoftë apo jo Saliu dhe zor se ka në dorë ndonjë gjë më shumë se sa kaq.
Ai nuk mund t’i heqë Saliut as “non gratën”, as nuk mund ta sjellë dot në pushtet vetëm nëpërmjet strategjive elektorale.


Të mundohesh të sjellësh LaCivita në hapje të fushtës, me idenë e rreme për të përshfaqur se amerikanët janë me ne, do të thotë të gënjesh më shumë veten, sepse të tjerët nuk e hanë këtë pite të ftohtë.
Së fundi kemi dhe modelin e vjetër të politikanit të ri në garë. Ai përfaqësohet nga Endri Shabani. Shabani është një artificë e injektuar me para shoqatash dhe organizatash ndërkombëtare, për të krijuar figurën e një politikani të ri të stilit Veliaj. Ai është rritur me fondet e Sorosit kudo që ka shkelur. Fakti që ai nuk sulmohet ashpër nga qeveria, tregon se është një marionetë komode për qeverinë, për të hequr vota nga të zhgënjyerit e Berishës, që s’duan të votojnë Ramën.


Duke votuar Shabanin, ata lënë Berishën në opozitë, ky është roli i Shabanit, me bekim të Sorosit të Ramës.