Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pas përfundimit të luftës, në kuadër të garancive të sigurisë, mijëra trupa të huaja do të vendosen në territorin ukrainas. Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pas një samiti të mbajtur mes aleatëve evropianë të Kievit, i cili ka shkaktuar reagime dhe paralajmërime të ashpra nga pala ruse.
“Është e rëndësishme që po diskutojmë për këto çështje. Po, do të jenë mijëra trupa, dhe jo vetëm disa. Kjo është një fakt,” tha Zelensky gjatë një vizite në qytetin Uzhhorod në Ukrainën perëndimore.
Një ditë më parë, presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi se 26 shtete janë zotuar të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën pas përfundimit të luftës, duke përfshirë një forcë ndërkombëtare ushtarake në tokë, det dhe ajër.
Sipas Macron, disa nga këto vende do të kontribuojnë edhe në mënyrë indirekte, përmes trajnimit dhe pajisjes së ushtrisë ukrainase, pa domosdoshmërisht të vendosin forca ushtarake në territorin ukrainas.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit, duke paralajmëruar se çdo forcë ushtarake perëndimore e vendosur në Ukrainë do të konsiderohet si “objektiv legjitim” për ushtrinë ruse.
“Nëse forcat, cilado qofshin ato, vendosen atje – veçanërisht tani kur po zhvillohen luftime, ne do t’i konsiderojmë ato si objektiva legjitime”, deklaroi Putin gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok, në Lindjen e Largët të Rusisë.
Putin shtoi se, në rast të një marrëveshjeje për paqe të qëndrueshme, “nuk ka kuptim për praninë e forcave të huaja në territorin e Ukrainës”, duke theksuar se Rusia do të respektojë plotësisht çdo marrëveshje për garanci të ardhshme sigurie për Ukrainën, nëse arrihet një marrëveshje paqësore.